Komuniteti i biznesit ka kërkuar urgjent nga Qeveria e Kosovës heqjen e akcizës për naftën për një afat të caktuar në mënyrë që të ulet çmimi i naftës në tregun e Kosovës. Gjithashtu, po kërkohet që të hiqet edhe TVSh-ja për produktet esenciale.
Për këtë, ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati ka thënë se thirrjet për ulje të akcizës së naftës janë thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve. Sipas tij, ulja e TVSh-së apo akcizës në situata kur vendi përballet me inflacion, jo domosdo reflektohet në zbritje të çmimit tek konsumatori.
Krahas kërkesës për heqjen e akcizës dhe uljen e TVSh-së për produktet ushqimore, kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi thekson se çmimet aktuale të karburanteve deri 1.90 euro, janë duke rënduar jetën e qytetarëve dhe punën e bizneseve.
“Kërkesa jona ka qenë dhe është që me urgjencë qeveria e Kosovës ta heq për një kohë akcizën e naftës në mënyrë që të ulet çmimi i naftës, sepse me këtë çmim aktual, bizneset dhe qytetarët janë duke u dëmtuar shumë. Kjo po ndikon në rritjen e produkteve të tjera për shkak të qarkullimit dhe nevojës që kanë bizneset për naftë. Kjo është duke ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e biznesit, por edhe të përkeqësimit të gjendjes së qytetarëve. Sepse me pagat e më hershme pothuajse qytetarët, por edhe bizneset e kanë të pa mundur që ta përballojnë këtë krizë të madhe”, thekson ai.
Në reagimin e Muratit në rrjete sociale, thuhet se rritja e çmimit të naftës vjen si rezultat i rritjes së çmimit të furnizimit nga importi, që është jashtë kontrollit të tyre, por edhe për shkak të rritjes së marzhës së fitimit nga tregtarët e naftës, sidomos tani kur pritet ardhja e mërgatës.
“Prandaj po punojmë për një vendim që cakton çmim tavan dhe marzhë maksimale të fitimit, sepse në situata të tilla të jashtëzakonshme, është e domosdoshme që Qeveria të ndërhyjë në treg për stabilizuar çmimet, gjë që parashihet edhe me legjislacionin në fuqi. Ndërsa thirrjet e opozitës që Qeveria të ulë TVSh-në apo akcizën në naftë ose produkte tjera, nuk i shërbejnë interesit të qytetarëve. Përkundrazi, një veprim i tillë vetëm sa do të trashte fitimet e tregtarëve në njërën anë, dhe do të kufizonte mundësitë e shtetit që t’i mbështesë familjet në nevojë në anën tjetër. Ulja e TVSh-së apo akcizës në situata inflacioni, jo domosdo reflektohet në zbritje të çmimit tek konsumatori”, shkruan Murati.
Kreu i OAK ka kërkuar po ashtu që të hiqet tërësisht TVSh-ja për produktet esenciale dhe ulët kjo normë në 5 për qind për produktet ushqimore.
“Edhe për këtë kemi kërkuar(produktet ushqimore) për shkak se është një diçka e çuditshme çka është duke ndodhur në qeverinë tonë, sepse edhe për kundër gjithë kësaj gjendjeje të rëndë për rritje të çmimeve të importit, rritjes së çmimit të kostos së prodhimit të produkteve, qeveria e Kosovës nuk është duke reaguar ndaj situatave të cilat po ndodhin. Ne kemi kërkuar në kontinuitet reagim dhe përkrahje shumë më të madhe ndaj gjendjes në të cilën po ndodhen bizneset, por edhe qytetarët. Dhe kërkesë urgjente është që TVSh-ja në ushqim nga 18 të bie në 5 përqind dhe TVSh-ja për produktet esenciale të hiqet tërësisht për një kohë të caktuar, për tre apo 6 muaj, në mënyrë që qytetarët të arrijnë ta përballojnë me këtë çmime, në këtë papuënsi të madhe e cila është evidente në Kosovë. Rritja e çmimeve të rrymës, të ushqimeve dhe naftës e kanë rrezikuar në masë të madhe familjen, qytetarin, por edhe biznesin, sepse është zvogëluar konsumi i qytetarëve”, thotë ai.
Mbetet e pa kuptimtë për Krasniqin mosreagimi i qeverisë deri tash për akcizën dhe TVSh-në.
“Është e pakuptimtë (qeveria) nuk po sqarohet, ndoshta është një dëshirë e qeverisë që të rritet buxheti i shtetit. Ne nuk jemi kundër rritjes së buxhetit, por rritja e buxhtetit duhet të ndodhë me rritjen e prodhimit, edhe me rritjen e punësimit, si dhe me rritjen e mirëqenies së qytetarëve, pra jo në kurriz të qytetarëve dhe të bizneseve të Kosovës”, thotë ai.
Krasniqi thotë po ashtu se krenaria e qeverisë për rritje të të hyrave dhe të nivelit të eksportit nuk qëndron, për shkak se rritja e të hyrave nga Dogana dhe ATK-ja janë si rezultat i rritjes së çmimeve dhe jo i rritjes së prodhimit vendor.
Gjatë ditës edhe partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kërkuar reflektim nga ana e Qeverisë lidhur me shtrenjtimin e karburanteve.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shkruar se sot bëhen 100 ditë nga propozimi i tyre i parë për reduktim të akcizës në derivate e reduktim të TVSh-së në produkte esenciale. Sipas tij, ky propozim është refuzuar e po refuzohet nga pushteti arrogant i Kurtit.
“Çmimi i naftës këtë mëngjes shënon rekord të ri prej 1.90 eurove për litër; derisa inflacioni i gjithmbarshëm ka arritur në plot 13%. Në këtë krizë të paprecedentë, mosveprimi është krim! Sot, dorëzojmë në Kuvend kërkesën për debat parlamentar dhe rezolutën tonë me kërkesë të njëjtë si 100 ditë më parë. Po të vepronim me kohë, papërballueshmëria jonë do të ishte më e lehtë, po s’vepruam sot, do të bëhet edhe më e thellë”, shkruan ai.
Ndërsa, me kërkesë të GP të LDK-së më 23 qershor do të mbahet debat parlamentar dhe propozohen rekomandime për zbutjen e rritjes së çmimeve.
“Me qëllim që të përkrahen qytetarët dhe familjet kosovare të përballen me rritjen e çmimeve, LDK kërkon nga Kuvendi i Kosovës t’i votojë këto rekomandime: Të reduktohet akciza dhe norma e TVSh-së për derivate, për tre muaj, me mundësi vazhdimi të masës edhe për tre muaj tjerë, varësisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare. Të zgjerohet lista e produkteve të domosdoshme me normë të reduktuar të TVSh-së për tre muaj, me mundësi vazhdimi te masës edhe për tre muaj tjerë, varësisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në kërkesën e LDK-së.
Heqjen e TVSh-së dhe akcizës e ka këkruar edhe AAK-së dhe transportuesit e udhëtarëve.
Në anën tjetër, në Shoqatën e Naftëtarëve nuk janë deklaruar sot për KosovaPress lidhur me çmimet e larta të karburanteve.