Oficerët e doganës në Vërmicë kanë arritur të kapin një sasi të konsiderueshme municioni derisa një person me një automjet që vinte nga Shqipëria kishte tentuar të kryej kontrabandë në territorin e Kosovës.
Sipas njoftimit të Doganës, pas zbulimit të kësaj sasie, automjeti u dërgua për një skanim të thelluar në Doganën e Shqipërisë.
Ndërsa municioni i zbuluar është konfiskuar dhe së bashku me rastin i është transferuar Policisë së Kosovës për hetime të mëtejshme.
“Sot, rreth orës 11:00 në pikën kufitare të Vërmicës, oficerët doganor kanë vënë re një automjet (që vinte nga Republika e Shqipërisë) dhe që po përpiqej të shmangte kontrollet. Qëllimi i shoferit ishte evident pra shmangja e kontrolleve të dokumentacionit dhe fizike të kryera nga autoritetet doganore. Pas ndalimit të automjetit, u dha urdhër për të kryer një kontroll në vijën e dytë të kontrollit doganor. Përpara oficerëve drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk kishte asgjë në mjetin e tij. Megjithatë, pas një kontrolli të kujdesshëm të automjetit, së bashku me ndihmën e zyrtarëve të policisë që ishin të pranishëm gjatë këtij kontrolli, u zbulua mallrat e ndaluara që ishin fshehur me kujdes në pjesën e pasme të mjetit pranë këmbëve të pasagjerit. Konkretisht, u gjetën 577 copë fishekë për armën tip AK-47”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.