Të paktën 16 miliardë dollarë të tjerë nevojiten për të mbështetur vendet me të ardhura të ulëta për të trajtuar pandeminë e koronavirusit, deklaroi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh).
“Kjo shumë do të nevojitet për furnizimin e vendeve me vaksina, teste dhe ilaçe përmes një programi të nisur nga Kombet e Bashkuara për blerjen e 600 milionë dozave të vaksinave, 700 milionë testeve dhe për të trajtuar 120 milionë pacientë”, deklaroi OBSh.
“Shkenca na dha mjetet për të luftuar COVID-19, nëse ato ndahen globalisht në solidaritet, ne mund t’i japim fund COVID-19 si një emergjencë shëndetësore globale këtë vit”, tha shefi i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Sipas llogaritjeve të OKB-së, 92 përqind e kontributit total të kërkuar duhet të vijë nga Bashkimi Evropian dhe G20, grupi i ekonomive më të mëdha të industrializuara.
Gordon Brown, ambasadori i OBSh-së për financimin global të shëndetësisë, tha se “16 miliardë dollarë ishte një shumë e menaxhueshme duke pasur parasysh ndikimin ekonomik global të pandemisë”.
Brown kritikoi pabarazinë e madhe të qëndrueshme në shpërndarjen globale të vaksinave dhe disponueshmërinë e testeve dhe ilaçeve.