Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, po shqyrton në parim Projektligjin për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.
Qëllimi i këtij projekligji është falja e masave ndëshkimore të shqiptuara nga insititucionet e Kosovës si dhe përcaktimi i procedurave në lidhje me formën e këtyre masave.
Propozuesi i këtij projektligji, Nol Nushi adresoi kritika për trajtimin e këtij projektligji në Kuvendin e Kosovës. Ai tha se për 15 muaj është dashur që të vijë ky projektligj në diskutim në Komisionin për Shëndetësi. Nushi tha nga falja e gjobave janë përjashtuar bizneset e mëdha dhe partitë politike.
Ndërsa shtoi se në bazë të të dhënave të Policisë së Kosovës 329 qytetarë të Kosovës janë ndëshkuar në bazë të këtij ligji.
E kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollcaku tha se ky projektligj e ka humbur kuptimin tani. Ajo konsideroi se me faljen e gjobave po bëhet një precedant në rrezik të shëndetit publik.
E deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu derisa ofroi mbështetjen për projektligjin në fjalë tha se ardhja e këtij projektligji tash me kaq vonese në komisionin parlamentar përbën shkelje ligjore. Askush nuk ka pas të drejtë që në procedurat parlamentare një incitivë ligjore e iniciuar nga qytetarët të prolongohet aq gjatë.
“Kushdo që e ka mbajt në sirtarët e tyre është shkelje ligjore. Ka nevojë që ky ligj të trajtohet nga të gjithë deputetët e kuvendit dhe të analizohen efektet e këtij ligji në këtë kohë krize. Ky ligj ka nevojë të miratohet në Kuvend të Kosovës dhe të mbështeten qytetarët”, tha ai.
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj tha se ligji për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 është zbatuar në mënyrë selektive prandaj ai kërkoi që Projektkigji për faljen e gjobave të vendosura gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 të merret në konsideratë dhe të mbështetet nga pozita dhe opozita dhe të gjenden modalitet.