Në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt në Hagë nuk do të dëgjohen dëshmitarë të tjerë. Por mbrojtja e dy të akuzuarve ka bërë kërkesë për të apeluar një vendim të trupit gjykues që lidhet me pyetjen e mbrojtjes nëse Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kryer hapat e duhur hetimor. Pas kësaj mbrojtja do të mund të procedojë me mbylljen zyrtare të çështjes së saj.
Trupi gjykues ka bërë të ditur se do të shqyrtojë kërkesën për leje të parashtruar nga mbrojtja derisa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka deklaruar se apelimet në këtë fazë të fundit të procedurës e shtyjnë përfundimin e çështjes.
Kërkesa për leje për aplikim nga ana e mbrojtjes është bërë në konferencë mbi ecurinë e çështjes.
“Kërkojmë leje për apelim për dy çështje, çështja e parë a ka gabuar trupi gjykues në refuzimin e nxjerrjes për mbrojtjen të materialit i cili sipas palës së mbrojtjes dëshmonte aspekte të cilat ishin në kundërshtim me parashtrimet e mbrojtjes për shtytje në kryerjen e krimit. Çështja e dytë, në mungesë të nxjerrjes a ka gabuar trupi gjykues në arritjen e përfundimeve nga ky material i cili ishte kundërshtues me parashtrimet e mbrojtjes sa i takon shtytjes në kryerjen e krimit”, ka thënë Avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees.
Ai ka thënë se mbrojtja e Gucatit dhe Haradinajt e ka ngritur mundësinë që materiali 205 mund të jetë në gjendje të dëshmojë moskryerjen e hapave adekuat nga ZPS.
“Si mbrojtja e zotëri Gucatit, ashtu edhe ajo e zotëri Haradinajt e kanë ngritur mundësinë se materiali 205 mund të jetë në gjendje të dëshmojë mos kryerjen nga ana e ZPS-së të hapave adekuat. Theksi vendoset tek fjala ‘mundet’ sepse siç është pranuar nga mbrojtja e Gucatit ashtu edhe Haradinajt, madje edhe nga trupi gjykues sigurisht nuk e keni parë materialin 205, apo përmbajtjen e këtij materiali, ne thjesht i kemi sjellë në vëmendje trupit gjykues mundësinë që ky material mund të jetë në gjendje të dëshmojë mos bërjen e hapave hetimor adekuat nga ana e ZPS-së. Në paragrafin 20, që në fillim të këtij paragrafi trupi gjykues vëren se materiali 205 nuk përmbajnë informacion apo provë që do të sugjeronte ndonjë mangësi nga ana e ZPS-së, të dukshme pra”, ka thënë Rees.
Rees ka thënë se kërkojnë zgjidhje nga Dhoma e Apelit duke theksuar se kjo është e rëndësishme për mbrojtjen meqë ndodhen në një pikë kritike të gjykimit, ku sipas tij është hera e fundit që mbrojtjes i jepet mundësi për të trajtuar çdo cenim.
“Paragrafi 20 nuk mbaron me kaq por vijon duke shprehur këtë përfundim mbi materialin që në veçanti intervista e personit të tretë nga ZPS dhe pyetjet që ka bërë hetuesi i ZPS-së sugjerojnë që ZPS po bënë hapa hetimor që janë të arsyeshëm dhe profesional në rrethanat përkatëse, përfshirë këtu edhe vlerësimet e besueshmërisë së informacionit që është marrë nga autori i materialit 203 dhe 204 dhe nga individi i intervistuar në materialin 205. Ky është konkluzioni mbi materialin të cilin mbrojtja nuk e ka parë ose nuk ka qenë në gjendje për të bërë parashtrime lidhur me këtë material, i cili siç duket në pamje të parë mund të ketë lidhje me parashtrimet që ka pasur ose mund të bëhet shtytje për kryerjen e krimit. Në mungesë të këtij materiali është e pamundur për mbrojtjen që të kuptojë përmbajtjen apo edhe kontekstin”, ka thënë avokati Rees.
Me këtë nuk është pajtuar Zyra e Prokurorit të Specializuar ku prokuroja Valeria Bolici ka thënë se apelimet në këtë kohë mund të shtyjnë përfundimit e këtij procesi.
“Mbrojtja e Gucatit në fakt kundërshton kornizën ligjore që mbulon këtë gjykatë dhe nuk argumenton argumentimet e veta më saktë nuk tregon nëse ky material, nxjerrja e të cilit është kundërshtuar, do të ishte kundër rregullave apo kuadrit ligjor, në fakt rregulla 102, 103 të rregullores shprehimisht parashikojnë procedurën që duhet ndjekur jo për kundërshtimin e vendimit por në kundërshtimin e rregullores. Sa i takon mundësisë për një apelim prokuroria vëren se duke pasur parasysh se jemi në një etapë të fundit të procedurës ka mbaruar paraqitja e provave, një apel i ndërmjetëm në këtë rast në këtë etapë nuk do ta dërgonte përpara, përkundrazi do ta vononte ndjeshëm ecjen përpara të kësaj procedure”, ka thënë prokurorja Bolici.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith ka deklaruar se do të shqyrtojnë kërkesën për leje për apelim që është parashtruar nga mbrojtja dhe do të marrë një vendim.
Gjatë konferencës për ecurinë e çështjes mbrojtja ka bërë të ditur se nuk ka dëshmitar të tjerë për të ftuar në gjykim ndërsa nga trupi gjykues është bërë e ditur se do t’i kërkohet mbrojtjes që të paraqes zyrtarisht mbylljen e paraqitjes së provave.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.