Analiza tregoi se fëmijët që kalojnë më shumë kohë para ekranit kanë më shumë gjasa të shfaqin sjellje të brendshme, si ankthi apo depresioni. Ata gjithashtu kanë më shumë gjasa të vuajnë nga një sulm agresioni ose pakujdesi, dy shenja të sjelljes së jashtme.
Studiuesit kanadezë thonë se ka një “mungesë konsensusi” nëse koha e kaluar para një ekrani ka një efekt të dëmshëm për fëmijët.
Megjithatë, pas shqyrtimit të 87 studimeve të vjetra për këtë temë, ku përfshiheshin rreth 160,000 fëmijë, ata vlerësuan se të dhënat tregojnë se ky është një zakon që ndikon keq në sjelljen e tyre.
Autorja kryesore Sherry Madigan dhe kolegët kanë vënë në dukje se vetëm të qenit para një ekrani mund të mos jetë as një shkas për probleme të sjelljes. Në vend të kësaj, shikimi i përmbajtjeve të papërshtatshme ose të dhunshme mund të çojë në sjellje agresive, ndërsa tërheqja nga shoqëria ose çrregullimet e gjumit mund të shkaktojnë ankth dhe depresion.
Udhëzimet globale tregojnë se fëmijët nën moshën dy vjeç duhet të shmangin plotësisht ekranet, ndërsa fëmijët nga mosha dy deri në pesë vjeç duhet të kalojnë më pak se një orë në ditë para ekraneve.
Hulumtimi është publikuar në revistën shkencore JAMA Psychiatry.
Kritikët e këtij studimi besojnë se është e gabuar të pretendohet se rëndësia statistikore e rezultatit të përgjithshëm është informuese në çfarëdo mënyre. Ata thonë se studimi tregon vetëm një për qind “të ndryshueshmërisë së problemeve psiko-sociale në korrelacion me forma të ndryshme të kohës së kaluar para një ekrani”.
Russell Wiener, ish-president i Kolegjit Mbretëror të Pediatrisë dhe Shëndetit të Fëmijëve, tha se kjo ishte “një fushë shumë komplekse dhe konkluzionet e thjeshtuara se koha e kaluar para një ekrani çon në probleme nuk janë të justifikuara”.