Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit një të mituri për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprat penale “lëndim i lehtë trupor” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Në një komunikatë për medie bëhet e ditur se gjyqtarja e procedurës, Shpresa Emra ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje 30 ditësh, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 12.02.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 14.03.2022, ndaj të miturit 15-vjeçar D.M.
“Kjo për shkak të dyshimit zë bazuar se ka kryer veprat penale Lëndim i lehtë trupor nga neni 185 par. 2 lidhur me par. 1 nën par. 1.4, dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të miturit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, bënë të ditur se rrjedh dyshimi i bazuar se:
“Me datë 11 shkurt në orët e mbrëmjes, me thikë – mjet ky i rrezikshëm – që mund të shkaktojë lëndime të rënda trupore, të dëmtuarit i shkakton lëndim të lehtë trupor, në atë mënyrë për shkak të një mosmarrëveshjeje fillimisht verbale, e sulmon të dëmtuarin duke e goditur e më thikë në këmbën e majtë nga ana e pasme duke shkaktuar plagë prerëse- shpuese gjerësi 2-3 cm thellësi 5-6 cm,, përshkuar më afër si në raportin mjekësor të qendrës emergjente të spitalit rajonal të Prizrenit, e më pas i dëmtuari nënshtrohet operimit në këmbë.
Në datë kohë dhe vend të njëjte si më lartë, të miturit D.M., i haset në posedim të mjetit të mprehtë – thikë kuzhine me dorëz të zezë dhe tehe 19 cm, e cila sekuestrohet – mjet që hynë në kategorinë e armës së ftohtë e që mund të përdoret për sulm apo shkaktim të lëndimeve trupore, e të cilën i mituri e ka mbajtur dhe përdorur në vend publik”, thuhet po aty.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën dhe mënyrën që dyshohet se janë kryer veprat penale, ku i mituri D.M., dyshohet të ketë kryer veprat penale në vend publik dhe në hyrje të banesës kolektive është përdorur mjet i rrezikshëm – thikë me gjatësi prej 19 cm, rrezikshmërinë shoqërore, dhe vendosmërinë për të poseduar mjet të rrezikshëm.
Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit për të miturin në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, sepse me qëndrimi në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, por i njëjti mund të kryejë edhe vepër tjetër penale me pasoja edhe më të mëdha, andaj caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm për sigurimin e prezencës së tij dhe zhvillimin normal të rrjedhës së procedurës penale – përgatitore.