Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, Ministrinë e Mbrojtjes e vizituan një delegacion nga Forumi Izraelit për Mbrojtje dhe Siguri, udhëhequr nga gjeneral Amir Avivi, themelues i këtij Forumi. Në fillim, delegacioni përkatës në përbërje prej gjeneralëve në pension të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, u pritën në takim të veçantë nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Në këtë takim miqësor u bisedua lidhur me çështjet me interes të përbashkët, si dhe forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në mes të dy vendeve tona. Ndër temat kyçe të takimit ishin edhe solidarizimi me vlerat e ndërsjella kulturore dhe nacionale, në periudha të ndryshme historike, si dhe për integrimin e përvojave shtetërore izraelite, në sistemin e sigurisë dhe mbrojtjes shtetërore të Kosovës.
Në vazhdim të vizitës, delegacioni nga Izraeli, u prit edhe nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, i cili së bashku me delegacionin e tij, prezantoi procesin e ndërtimit, të arriturat e deritashme si dhe planet për të ardhmen të zhvillimit të FSK-së. Më pas, delegacioni nga Izraeli njoftoi mbi procesin e zhvillimit, organizimit, strukturës dhe funksionimit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, informacione këto shumë të rëndësishme për delegacionin tonë për të identifikuar modelet e duhura për integrim në procesin zhvillimor të FSK-së.