Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, morën pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të ndërtesës së re të çerdhes për fëmijë te shkolla e Gjelbër në Prishtinë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti është shprehur i lumtur se muajin tetor po e mbyllin mbarë me vendosjen e gurthemelit të ndërtesës së re të çerdhes për fëmijë të shkolla e Gjelbër.
Kurti në një fjalë rasti tha se do të vazhdojnë edhe me punime të tjera në Komuna të tjera të Kosovës, derisa shtoi se vendosja e gurthemelit tjetër do të jetë në Podujevë. Ai tha se në këtë çerdhe do të kenë mundësi të akomodohen 120 fëmijë. Kurti tha se ky investim kap vlerën prej 743 mijë euro.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se qeveria përveç se ka ndarë buxhetin për çerdhe, sipas saj edhe është rritur ky buxhet. Nagavci tha se do të punojnë më shumë që të përmirësohen rezultatet në arsim. Në fund ajo uroi që gjithë fëmijët ta gëzojnë këtë çerdhe, derisa shtoi se nënave dhe grave do t’ u jepet mundësi më shumë në gjithpërfshirje në punë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se përveç kësaj çerdhe janë edhe tri shkolla tjera që presin t’i ndërtojnë. Rama shtoi se kjo tregon se bashkëpunimi institucional jep fryte të mirëfillta.