Ministria e Shëndetësisë ka informuar se sot (e enjte) do të fillojë karavani i vaksinimit. Ky është aktivitet shtesë njëmujor, sipas MSh-së, me qëllim të promovimit të vaksinimit kundër gripit sezonal dhe kundër COVID-19 dhe rritjes së numrit të vaksinuarve kundër këtyre dy sëmundjeve.
Qytetarët e Kosovës mund ta vaksinohen kundër COVID-19 edhe me dozat bivalente përforcuese.
“Ky aktivitet synon që të ndihmojë qytetarët për ta kuptuar sa më mirë rëndësinë e vaksinimit dhe njëkohësisht për t’u vaksinuar kundër Gripit sezonal dhe kundër COVID-19, në kohën kur në vende të ndryshme të botës numri i rasteve të reja të COVID-19 ka filluar të rritet. Për këtë qëllim, për një periudhë kohore prej më shumë se një muaji, në komunat e Kosovës, ekipet e vaksinimit do t’u mundësojnë qytetarëve që të vaksinohen përmes këtij aktiviteti”, ka informuar MSh.
Objektivat e karvanit të vaksinimit janë:
• Inkurajimi i qytetarëve për vaksinimit kundër COVID-19 dhe kundër gripit sezonal dhe promovimi i sjelljeve parandaluese dhe masave të shëndetit publik;
• Sigurimi që vaksinimi kundër Gripit sezonal dhe COVID-19 të jetë lehtësisht i arritshëm në komunitetet lokale, veçanërisht për popullatën me të ndjeshme dhe;
• Promovimi i pjesëmarrjes së drejtuesve të komunitetit në aktivitetet lokale për të adresuar pengesat në procesin e vaksinimit.
Gjatë karvanit të vaksinimit, përveç vaksinës kundër gripit sezonal, siç ka informuar ministria, qytetarët do të mund të vaksinohen edhe me dozat bivalente përforcuese kundër COVID-19, të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë.
Karvani do të fillojë më 22.12.2022 në komunën e Fushë-Kosovës, për të vazhduar edhe në komunat e tjera të Kosovës.