Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës ka ndërmarrë aksion për lirimin e torturave në kryeqytet.
Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Florian Dushi bashkë me ekipin e tij kanë dalë në terren për ta inspektuar aksionin. Komuna ka vendosur që në rrugën “Hamëz Jashari” afër Parkut të Qytetit të hiqen rrethojat dhe kështu të lirohen trotuaret për këmbësorët.
Drejtori Dushi tha e qëllimi i këtij projekti është lirimi i trotuareve rreth parkut të Qytetit, një kërkesë kjo e kahmotshme e banorëve të Prishtinës. Ai u shpreh se për shkak të bllokimit të trotuareve sot ka nisur largimi i rrethojave për të pasur më shumë hapësirë të lëvizjes së lirë të qytetarëve.
“Sot këtu në parkun qendror të kryeqytetit, jemi në realizimin e një projekti që ka për qëllim një kërkesë të kamotshme të qytetarëve të Prishtinës, pra lirimin e trotuareve rreth Parkut të Qytetit. Këto trotuare kanë qenë vazhdimisht të bllokuara nga parkimi i veturave në mënyrë të jashtëligjshme. Tani kemi filluar me largimin e rrethojave që për qëllim ka lirimin e këtyre hapësirave të parkut dhe aspektin e imazhit të parkut. Zgjerimin e trotuarit, ndërtimin e një trotuari të ri dhe krijimin e hapësirave të reja në brezin e rrugës për parking dhe shndërrimin e saj në rrugë një kahëshe. Projekt përmes të cilit synojmë që të zgjidhim edhe problemet e këmbësorëve, mungesa e hapësirave për qarkullim të këmbësorëve, parkimit të veturave por edhe të një qarkullimi më të lirë të veturave duke shndërruar në rrugë një kahore”, tha ai.
Kurse për kohëzgjatjen e realizimit të kësaj iniciative, ai tha se projekti do të realizohet në periudhë të shpejtë, ndoshta më pak se një muaj.
“Projekti do të realizohet në periudhë shumë të shpejtë, sot kemi filluar me largimin e rrethojave dhe menjëherë sot do të filloj edhe ndërtimi i trotuarit të ri. Konsiderojmë që për një periudhë shumë të shkurtë ndoshta më pak se një muaj, besoj që do të rregullohet kjo hapësirë. Ndërkohë problemi i veturave do të zgjidhet duke u shndërruar në rrugë një kahore. Njëra korsi e rrugës që ka qenë duke u shfrytëzuar deri sot për qarkullimin e veturave do të shndërrohet në hapësirë për parking të veturave”, u shpreh Dushi.