Është ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të Shqipërisë, i cili tentoi t’i ofronte para policit për ta lejuar që të kalojë kufirin edhe pa certifikatë të vaksinimit.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri A.B., me datë 09.12.2021 në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, kufiri Shqipëri – Kosovë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ofron dhuratë të paarsyeshme apo përfitim tjetër, personit zyrtar në mënyrë që ai person të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ashtu që gjatë kalimit të pikës kufitare të Vërmicës derisa ishte duke udhëtuar me automjetin ‘Audi A4’ me targa regjistrimi të Republikës së Shqipërisë, së bashku me dy pasagjerë të tjerë, i pandehuri në momentin kur afrohet për kontroll, duke ditur që nuk ka certifikatë të vaksinimit, në lejen e qarkullimit të automjetit i vendos tri kartëmonedha prej dhjetë (10) euro – gjithsej tridhjetë (30) euro, të cilat ia jep zyrtarit policor A.Sh., e në momentin kur zyrtari policor i vëren paratë dhe e pyet se për çfarë janë këto para, i pandehuri përgjigjet se paratë i ka lënë për të, për respekt ndaj tij dhe se nuk kanë certifikatë vaksinimi e as test PCR për Covid-19, nëse ka mundësi që t’u lejohet hyrja në Kosovë. Me këto veprime i pandehuri A.B., ka kryer veprën penale ‘Dhënia e ryshfetit’ sipas KPRK-së”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.