Për nder të shënimit të 3 dhjetorit-Ditës Ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë vendim që nesër ora e parë e mësimit t’i kushtohet temës së Aftësisë së Kufizuar.
MAShTI i ka njoftuar edhe Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe institucionet arsimore për këtë orë mësimi, e cila ka për qëllim vetëdijësimin e nxënësve në shkollat e Kosovës për Aftësinë e Kufizuar dhe ndërgjegjësimin mbi të drejtat e tyre.
MAShTI gjithashtu bën të ditur se edukatorët/mësimdhënësit mund të përdorin udhëzuesin e hartuar nga grupi punues i Ministrisë së Arsimit, i cili është publikuar në ueb sajtin zyrtarë të MAShTI.
Qeveria e Republikës së Kosovës vitin 2022 e ka shpallur Vit të Aftësisë së Kufizuar.