Virusi i Nilit perëndimor, i cili tashmë është shfaqur në Ballkan, ka bërë që ekspertë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, të shtojnë gatishmërinë në parandalimin e shfaqjes së sëmundjes.
Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë përmes një njoftimi bën të ditur se në Kosovë nuk ka akoma raste të raportuara, por duke pasur parasysh rrezikshmërinë dhe mundësinë e përhapjes se virusit të Nilit Perëndimor, është duke vëzhguar situatën epidemiologjike në vendin tonë, por edhe të shteteve fqinje.
IKShPK ka treguar edhe shenjat dhe simptomat e këtij virusi duke theksuar se infektimi me VNP mund të jetë jo-simptomatik (pa simptoma) në rreth 80% të njerëzve të infektuar, ose mund të çojë në ethet e Nilit Perëndimor ose në sëmundje të rënda të Nilit Perëndimor.