Në muajin gusht, gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Pejë, Florije Zatriqi vendosi dënimin prej vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim për dhunuesin e një 15-vjeçareje, rast ky që kishte ndodhur në 2012-tën. Ndërsa vendim ky që u bë i ditur nga mediat të hënën.
Ky dënim nxiti reagime të shumta. Për këtë reagoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në objektin e Gjykatës Themelore në Pejë u vendos mbishkrimi “Këtu vajzat e gratë dhunohen për s’dytsh”, “Kjo gjykatë është armike e grave!”. Këto mbishkrime u vendosen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, për çka thonë se në Kosovë shteti është armiku i vajzave dhe grave.
“Dhënia e këtij dënimi jolegjitim, teksa e lë në liri kriminelin, na vendosë të gjitha vajzave dhe grave në gjendje pasigurie. Megjithatë, ky vendim përveç që na tronditë dhe na frikëson, është duke na dhënë sinjale që ne duhet të organizohemi për ta fituar sigurinë tonë dhe për të jetuar pa frikë dhe të lira nga dhuna e shumëfishtë institucionale. Përderisa shteti është kundër nesh e për dhunë, ne do të rezistojmë edhe kundër tij e çdo institucioni që ushqehet me shtypje e që në fund derivon përdhunim e vrasje të vajzave e grave”, thuhet në reagimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.