Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar seanca në të cilën po zhvillohet gjykimi ndaj ish krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK).
Kryetari i trupit gjykues, Charles L. Smith III, ka lëshuar një urdhër me gojë ku ka bërë të ditur se trupi gjykues do të marrë vendim për provat materiale të paraqitura nga dëshmitarja Pumper, në fund të dëshmisë së saj.
Për ditën e katërt me radhë, aty po dëgjohet Zenka Pumper, dëshmitare e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e cila sot po vazhdon të përgjigjet në pyetjet e avokatit të Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees.
“Sa i takon paraqitjes së provave, siç jeni në dijeni trupi gjykues ka shtyrë marrjen e vendimit për një sërë provash materiale të paraqitura nga zonja Pumper deri në përfundim të dëshmisë së saj, kur të vijë momenti i atij diskutimi nga prokuroria pritet të lexohet një përmbledhje koncize të deklaratave të dëshmitares për proces verbalin, në seancë të hapur”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.
Smith ka thënë se pritet nga prokuroria që të informojë se çfarë klasifikimi propozon për secilën provë materiale. Nëse provat propozohen të jenë konfidenciale, ai ka shtuar se ZPS duhet të bëjë të ditur nëse mund të vendosë në dispozicion një version publik të redaktuar.Ndërsa lidhur me klasifikimin e provave do të merret edhe qëndrimi i mbrojtjes.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po marrin pjesën ë seancë me prezencë fizike dhe kjo është dita e katërt e dëgjimit të dëshmisë së koordinatores së hetimeve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.
Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.