Forumi dyditor Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që nis nesër në Prishtinë pritet t’i grumbullojë 126 folës nga 33 shtete të botës nga të gjashtë kontinentet dhe mbi 400 pjesëmarrës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se temë e këtij forumi do të jetë ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme.
“Temë e edicionit të parë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë do të jetë ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme, me të cilën synojmë të reflektojmë mbi sukseset si dhe sfidat e agjendës të Rezolutës 13/25. Forumi është edhe platformë për rritjen e ndërgjegjësimit për nevojën për të njohur dhe promovuar aftësitë e grave dhe vajzave, për të kontribuar në mënyrë thelbësore në proceset e paqes dhe të sigurisë”, theksoi ajo.
Presidentja e vendit duke dhënë detaje para fillimit të këtij forumi, tha se paqja dhe siguria e grave janë shtylla qendrore të vizionit të Kosovës.
“Ky forum synon të përcjellë qartë mesazhin se paqja dhe siguria e grave janë shtylla qendrore të vizionit të Kosovës për paqe të qëndrueshme në nivel lokal, rajonal si dhe global. Edicioni i parë i forumit do t’i kushtohet trashëgimisë së ish-sekretares amerikane Madeleine Albright, mikes së madhe të Kosovës, e cila iku në amshim muaj më parë… Forumi do të grumbullojë 126 folës nga 33 shtete të botës nga të gjashtë Kontinentet dhe mbi 400 pjesëmarrës”, tha ajo.
Në kuadër të forumit do të mbahen 16 panele, ndërsa hapja zyrtare do të jetë nesër në orën 09:00 në Prishtinë.