NATO veproi me shpejtësi të martën për të siguruar Ukrainën se ka mbështetjen e NATO-s pas komenteve të një prej zyrtarëve të saj të lartë.
Duke folur gjatë një paneli diskutimi në Norvegji, Stian Jenssen, shefi i shtabit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, propozoi që Ukraina t’i jepte një pjesë të territorit të saj Rusisë në këmbim të anëtarësimit në NATO, në mënyrë që t’i jepte fund luftës, shkruan AA.
“Unë mendoj se një zgjidhje mund të jetë që Ukraina të japë një pjesë nga territori dhe në këmbim të anëtarësohet në NATO” tha ai, duke shtuar megjithatë se “duhet të jetë në dorën e Ukrainës që të vendosë se kur dhe në çfarë kushtesh duan të negociojnë,” gazeta tabloide norvegjeze Verdens Gang raportoi më 15 gusht.
Megjithatë, Jenssen vuri në dukje se kjo ishte vetëm një nga zgjidhjet e mundshme dhe jo qëndrimi i NATO-s për këtë çështje.
Një burim zyrtar nga Aleanca ka reaguar.
“Ne mbështesim plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, siç riafirmuan liderët e NATO-s në Samitin e Vilniusit në korrik. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme dhe jemi të përkushtuar për të arritur paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha ai.
NATO ka thënë vazhdimisht se Ukraina duhet të vendosë për kohën dhe kushtet e paqes me Rusinë.
Zyrtarët ukrainas në mediat sociale kritikuan vërejtjet e Jenssen.
“Të flasësh për anëtarësimin e Ukrainës në NATO në këmbim të heqjes dorë nga një pjesë e territoreve të Ukrainës është absolutisht e papranueshme”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko në Facebook.
“Ne gjithmonë kemi supozuar se Aleanca, si Ukraina, nuk tregton territore. Pjesëmarrja e vetëdijshme ose e pavetëdijshme e zyrtarëve të NATO-s në formësimin e narrativës në lidhje me mundësinë e dorëzimit të territoreve nga Ukraina është në duart e Rusisë”, tha Nikolenko.
Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak tha në platformën e rrjeteve sociale “X” se heqja e territorit në këmbim të anëtarësimit në NATO do të nënkuptonte “zgjedhje të qëllimshme të humbjes së demokracisë, inkurajimin e një krimineli global, ruajtjen e regjimit rus, shkatërrimin e ligjit ndërkombëtar dhe kalimin e luftës në brezat e tjerë.”