Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu ka deklaruar se gjendja e përgjithshme në vend është stabile. Ajo pas raportimit të drejtorit të këtij institucioni, Petrit Ajeti ka njoftuar se situata më e brishtë është në komunat veriore, ku Serbia ka angazhuar mekanizmat e saj ilegal për të monitoruar aktivitetin e strukturave të sigurisë në Kosovë.
Më tej, ajo ka bërë të ditur se cak janë lagjja e Boshnjakëve, Kroi i Vitakut dhe Kodra e Minatorëve.
Deputetja e PDK-së ka theksuar se në komisionin e sotëm janë njoftuar se Serbia përmes strukturave të saj po bën përpjekje për të rritur gatishmërinë te serbët lokal në raste tensioni.
“Konstatojmë se gjendja e përgjithshme në vend në përgjithësi është stabile. Situata më e brishtë në Republikën e Kosovës paraqitet në kuadër të katër komunave në veri, për shkak të ndërhyrjeve nga Serbia dhe aktiviteteve të shtuara të strukturave ilegale, grupeve kriminale dhe organizatave të ndryshme radikale. Fatkeqësisht Serbia, përmes strukturave të saj po bën përpjekje për të rritur gatishmërinë te serbët lokal me qëllim të tensionimit të situatës në Kosovë”, ka thënë ajo.
Musliu para mediave ka theksuar se investimet nga Serbia paraqesin kërcënim në rritje, pasi që me këtë po investojnë në grupet kriminale serbe në Kosovë.
“Serbia ka angazhuar mekanizmat e saj ilegal për të monitoruar aktivitetin e strukturave të sigurisë në Kosovë, por edhe të bëjë lëvizje të strukturave ndërkombëtarë që ndikojnë në Kosovë. AKI bazuar në të dhënat për inteligjencë, sot raportoi para komisionit parlamentar për veprimtarinë e strukturave të Serbisë, që në muajin e ardhshëm niveli i kërcënimit nga Serbia mund të rritet kur e kemi parasysh mobilizimin e strukturave dhe mbrojtjes së Serbisë. Deklaratat kërcënuese të Serbisë ndaj Kosovës, rritja e financimit dhe forcimi i strukturave të kundërligjshme në Kosovë, mbështetja e individëve dhe grupeve të krimit të organizuar për të ushtruar aktivitetin e kontrabandës e ekonomisë joformale dhe pastaj kalimin e mallrave ilegale në kufi”, ka shtuar ajo.
Ajo ka ftuar institucionet që të jenë të vëmendshme dhe të përcjellin gjendjen në veri.
“Cak aktualisht janë pronat e shqiptarëve të Mitrovicës së Veriut, saktësisht lagjja e Boshnjakëve, Kroi i Vitakut dhe Kodra e Minatorëve. Gjithashtu target janë edhe banesat në ndërtesa kolektive brenda qytetit të Mitrovicës së Veriut. Ndërtimet në katër komunat në veri të Kosovës janë pa leje dhe trendi i largimit të shqiptarëve nga katër komunat në veri të Kosovës, përbën shqetësim edhe për AKI-në, edhe për ne si komision parlamentar”, ka përfunduar ajo.