Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu ka reaguar pas vizitës së kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq në veri të vendit. Ai ka thënë se Bërnabiq është takuar me fëmijët e kriminelit Milan Radojiçiq.
Sipas tij, kjo është vazhdimësi e lojës së dyfishtë të Serbisë, duke shmangur takimin direkt me të sanksionuarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, porse pa evituar lidhjen me të.
“Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, në mungesë të takimit me kriminelin Milan Radoiciq, qenka takuar me djemtë e tij – fëmijë. Ky është një mesazh i zakonshëm i Serbisë, me lojë të dyfishtë”, ka shkruar ai.
Njohësi i sigurisë ka dhënë edhe arsyet e kësaj loje të Serbisë.
“Me Radoiçiqin nuk u takua (për shkak të ndërkombëtarëve). Me fëmijët e tij u takua (për shkak të atij që nuk u takua me të). Edhe ky/kjo në hall të madh, sepse njerëzit nga partia e saj SNS, në Serbi, dhe ‘dega’ e saj në Kosovë, Lista Serbe, janë përfshirë në krim. As në fotografi nuk mundi të dalë”, ka thënë Musliu.
Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq është në listën e zezë të sanksioneve nga Departamenti i Thesarit i shtetit amerikan për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional.