UBT News

​Murati për buxhetin: Parashohim konsolidimin fiskal

Ministri i Financave, Hekuran Murati para anëtarëve të komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere ka prezantuar buxhetin prej më shumë se tre miliardëve për vitin e ardhshëm. Murati theksoi se buxheti i paraparë parasheh konsolidimin fiskal.

“Është një buxhet i cili parasheh konsolidimin fiskal. Në kuadër të kësaj, parashohim që të vazhdoj trendi pozitiv i rritjes ekonomike. Kemi projektuar një rritje reale prej 5.5 për qind. Në përgjithësi borxhi parashihet të jetë në nivel të kontrolluar prej 22,5 për qind”, ka thënë ai.

Murati theksoi se të hyrat tatimore do të jenë prej më shumë se dy miliardë euro, ndërkohë që në vitin 2020 të hyrat kanë qenë një miliard më pak.

Anëtari i komisionit, Pal Lekaj tha se ka mospërfshirje të rritjes së pagave në këtë buxhet.

“Po ashtu edhe rritja e pensioneve nuk është projektuar në këtë buxhet. A mendoni se viti 2022 ka qenë dështim i investimeve kapitale, janë 600 projekte që nuk janë implementuar. Si ministër nuk guxoni të bëni premtime dhe të dilni mashtrues”, ka deklaruar Lekaj.

Murati deklaroi se për vitin e ardhshëm janë paraparë 610 milionë euro për skema pensionale.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se inflacioni sipas ASK-së është prej 12,6 për qind po ndikon në shportën e konsumatorëve.

“Krahasimi me vitin 2020, veç juve ju kam dëgjuar me u krahasu me vitin 2020. Krahasohu me vitin e kaluar. Aty ne e shohim pasqyrën reale… Buxheti për pagat është vetëm 75 milionë më shumë. Kur janë shtuar, 10 milionë pozita që s’ keni arritur t’i rekrutoni, nuk e di se sa do të mbesin për implementimin e Ligjit për Pagat. Kur mendoni që do të vij në kuvend dhe të filloj të implementohet”, ka pyetur Bajrami.

Për këtë Murati tha se opozita nuk e ka hallin e qytetarëve dhe kjo është treguar edhe me mos mbështetjen e ligjit për vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazë.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar në parim projektligjin për buxhetin për vitin 2023.

Exit mobile version