UBT News

​Murati: Jemi në proces të përcaktimit të shtesave të rrezikshmërisë për policët

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati, tha se janë në proces të përcaktimit të shtesave të rrezikshmërisë për policët. Në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, Murati tha se gjithmonë do t’iu qëndrojnë pranë atyre që i shërbejnë vendit.

Këto deklarata Murati i ka bërë disa ditë pasi rreshteri policor Afrim Bunjaku humbi jetën nga një grup terrorist derisa po kryente detyrën e tij në Banjskë të Zveçanit.

“Është një proces që ka të bëjë edhe me Ligjin e pagave në tërësi. Ka qenë një proces paksa më kompleks dhe më i komplikuar pasi bëhet fjalë për mbi 80 mijë zyrtarë publik, pra është një sistem i tërë që është dashur të reformohet. Ka shumë kategori të tjera që po trajtohen në vijimësi, qoftë nga MPB-ja apo MFT-ja. Tani jemi në proces të dakordimit dhe në proces të defenimit apo përcaktimit të të gjitha këtyre shtesave por edhe të kompetencave apo përgjegjësive që parashihen dhe plotësohen me ligj. Besoj se shumë shpejt do të kemi edhe përafrim të këtyre kërkesave apo gjërave në mënyrë që të sigurohemi që çdo gjë vjen në vendin e vet ashtu siç e parasheh ligji. Një gjë dua t’i siguroj qytetarët se shteti gjithmonë do t’iu qëndrojë pranë të gjithë atyre që shërbejnë për shtetin”, theksoi Murati.

Ndërsa ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se ende nuk kanë informacione zyrtare për rolin e klerikëve fetarë të Manastirit të Banjskës gjatë sulmit terrorist të 24 shatorit në veri.

Ai tha se hetimi po zhvillohet ende nga institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë, mirëpo në bazë disa publikimeve në rrjete sociale që menaxhohen nga zyrtarët e Kishës Ortodokse serbe është bërë një lloj përpjekje për t’u distancuar nga ato veprime.

“Çështjet që i ngritet janë shumë legjitime dhe meritojnë përgjigje përfundimtare, të cilat besoj se do të merren pas hetimeve profesionale të hollësishme në lidhje me krejt çka ka ndodhur në atë moment nga ai sulm terrorist mbi Republikën e Kosovës. I gjithë informacioni që kemi janë disa publikime në rrjetet sociale të cilat menaxhohen nga klerikët ose zyrtarët e Kishës Ortodokse serbe ku është bërë një lloj përpjekje për t’u distancuar nga ato veprime. Megjithatë ajo çka jemi zotuar ne sot është që të mbrojmë monumentin sepse edhe ligjet tona dhe fakti që ai monument është i mbrojtur me ligjet e Republikës na obligon që të kujdesemi për strukturën fizike që është dëmtuar nga grupi terrorist në atë rast. Por unë nuk kam më shumë informacion dhe besoj se hetimet që po zhvillohen dhe pastaj procedura mëtutjeshme gjyqësore do t’i jap përgjigje këtyre dilemave që i kemi”, tha ai.

Çeku në konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë, theksoi nevojën që objektet e kultit të mos përdorën për aktivitete kriminale, derisa tha se kanë mjete financiare për restaurimin e Manastirit të Banjskës pas dëmeve të shkaktuara nga sulmi terrorist më 24 shtator.

“Ne si ministri për shkak të mandatit për mbrojtjen e trashëgimisë kemi komunikim të përhershëm gjithmonë me të gjithë pronarët, shfrytëzuesit dhe poseduesit e aseteve të trashëgimisë kulturore. Duhet pranuar që në të kaluarën jo gjithmonë kemi hasur në dyer të hapura nga klerikët e kishës ortodokse në Kosovë, mirëpo veprimet tona profesionale dhe ndërhyrjet që kanë ndodhur sivjet në tri kisha ortodokse në Kosovë në bashkëpunim me BE-në dhe UNDP tregojnë se kemi komunikim dhe kemi zotim. Ajo çka kemi thënë sot është se ne duhet të bëjmë maksimumin për t’i mbrojtur këto monumente, por duke artikuluar se objektet e kultit nuk duhet të përdoren për aktivitete kriminale”, shtoi Çeku.

Exit mobile version