Mungesa e stafit profesional në media ndërlidhet drejtpërdrejt me identifikimin e lajmeve të rrejshme. Kështu u tha me rastin e publikimit të raportin hulumtues “Keqinformimi, dezinformimi dhe lajmet e rreme në mediat online në Kosovë” nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK).
Kryetari i KMShK-së, Imer Mushkolaj tha se gjatë pyetësorëve janë vërejtur një mori problematikash me të cilat përcillet procedura e përgatitjes së një lajmi.
“Nëpërmjet pyetësorëve është evidente se mungesa e hallkave në përgatitjen e lajmit dhe pastaj në publikimin e lajmit është jashtëzakonisht problematike, edhe mungesa e resurseve njerëzore nëpër media del të jetë një problem jo i vogël për shkak se aty është edhe një lloj sigurese se si këto lajme përpara se të publikohen të verifikohen dhe të mos publikohen pa u verifikuar. Mungesë tjetër, mosbashkëpunimi i verifikimit të fakteve ose me organizatat që merren me verifikimin e fakteve”, tha ai.
Sipas tij, rekomandimet që kanë dalë nga ky hulumtim do t’i shërbejnë komunitetit të gazetarëve dhe këshillit.
Ndërsa ka thënë se gjetje interesante është se nuk ka pasur përqindje të lartë të sanksionimit ose të ndëshkimit të gazetarëve, të cilët qëllimshëm kanë mundur të prodhojnë një lajm të rremë.
Për metodologjinë e përdorur në hulumtim tregoi vetë autori, Qerim Ondozi. Edhe ai tha se ndër gjetjet kryesore është problemi në hallkën e raportimit, e që lidhet me numrin e vogël të stafit.
“Është problemi në atë hallkën e raportimit të cilin e kemi identifikuar, kemi hasur në mungesën e lektorëve dhe redaktorëve në media për arsye të ndryshme, për arsye se kemi media me staf të vogël. Ndër problemet tjera të cilin e kemi hasur dhe të cilat paraqesin problem për ëshillin është konfuzioni sa i përket rregullave të brendshme”, tha ai.
Ndërsa drejtoresha e AGK-së, Getoarbë Mulliqi-Boja tha se lajmet e rreme nuk përhapen nga gazetarët, por nga grupet e caktuara të interesit.
“Puna e gazetarëve është vështirësuar jashtëzakonisht shumë kohëve të fundit dhe kjo e gjitha si rrjedhojë e prodhimit të lajmeve të rreme, të dezinformatave dhe të keqinformimit… Këto lajme nuk përhapen nga gazetarët, por nga grupet e caktuara të interesit të cilët përcjellin agjenda të caktuara, nëse mund t’i quajmë pseudo-mediume”, tha ajo.
Në këtë tryezë nuk mbeti pa u përmendur edhe gjendja financiare e mediave. Kështu, nënkryetari i KPM-së, Gani Musliu tha se problematikat financiare kanë shkaktuar probleme që një televizion të funksionojë me 4-5 të ftuar.
“Kjo gjendje e rëndë financiare vlen edhe për televizionet edhe për radiot, anashkaloj disa nga televizionet e mëdha, mirëpo tek televizionet lokale është gjendja e njëjtë. Problematikat financiare kanë shkaktuar probleme që ata pothuajse një televizion me funksionu me 4-5 të ftuar që ndoshta, çështja e hierarkisë, kryeredaktori deri te gazetari, në shumë raste është shumë e dobët. Ajo që ne si komision jemi munduar të bëjmë, që të përmirësojmë çështjen e medias në televizioneve, është që e kemi miratuar një rregullore, ku për ato të shpërndarjes të fillojnë të paguajnë për transmetimin e televizioneve kosovare, gjë që nuk ka ndodhur. Janë fuqizuar shumë televizione të Shqipërisë të cilat kanë transmetuar në Kosovë, mirëpo televizionet shqiptare për tu transmetuar një operator në rastet e ndryshme kanë pasur edhe të paguajnë për transmetimin e tyre”, tha ai.
Ai tha se kanë miratuar edhe rregullore tjera të cilat e rrisin profesionalizmin e mediave.
Raporti hulumtues “Keqinformimi, dezinformimi dhe lajmet e rreme në mediat online në Kosovë” ndahet në tri pjesë, të cilat kanë të bëjnë me raportet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare të cilat janë publikuar për këtë temë, si dhe pyetësorin prej 34 pyetjeve dhe të grupuar në katër grupe të pyetjeve të cilat lidhen drejtpërdrejt me pasojat që sjellin në prodhimin e lajmeve të rreme.