Mospjesëmarrja e kryeministrit Albin Kurti në seancën ku po diskutohet programi i qeverisë për vitin 2021-2024, ka bërë që partitë opozitare të largohen nga seanca.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se të hënën ishin dakorduar që kryeministri të vije në Kuvend rreth orës 12, e që mosardhja e tij në Kuvend bëri që ky grup parlamentar të largohet nga seanca. Gashi tha se nëse do të vijë kryeministri Albin Kurti në Kuvend edhe ata do të kthehen.
“Ditën e hënë kur u pajtuam që kjo seancë të vazhdojë sot, u njoftuam se kryeministri do të jetë rreth orës 12 në Kuvend sepse do të kthehej nga vizita në Bruksel dhe për atë arsye u pajtuam. Sot pjesën e parë meqenëse ndoshta udhëtimi është vonuar, është lodh e kuptuam si mungesë të tij, por tash po na duket e paarsyeshme që ne me vazhdua me qëndrua në sallë edhe mos me pas personin që na ka ftuar në seancë të jashtëzakonshme. Kështu që, ne nuk po kemi me kë të debatojmë. Nëse Kurti kthehet në sallë ne do të kthehemi nëse ai nuk është këtu ne po vazhdojmë në zyrat tona në Kuvend derisa kryeministri Kurti të kthehet në sallë”, tha ai.
Ushtruesja e detyrës së Shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se përderisa në sallë ndodhet zëvendëskryeministri janë kushtet për të vazhduar seanca.
“Përderisa zëvendëskryeministri është këtu dhe përfaqësuesit e qeverisë mendoj se janë të gjitha kushtet për të vazhduar seanca, ashtu siç është e paraparë”, deklaroi ajo.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se nuk ia vlen të vazhdohet ky debat në këtë formë.
“Nuk ia vlen të vazhdohet ky debat në këtë formë. Jo vetëm që mungon kryeministri Kurti, por edhe shumica e qeverisë”, tha ai.
Kjo seancë është vazhdim i seancës të së hënës për programin qeverisës 2021-2025.