Ministria e Shëndetësisë po planifikom 41 milionë e 67 mijë euro për ngritjen e shërbimeve shëndetësore. Kështu u tha në punëtorinë e organizuar nga grupi punues kyç për hartimin e Planit Strategjik për zbatimin e fizibilitetit dhe raportit shtesë për studimin “Ngritja e infrastrukturës dhe pajisjeve për kujdesin dytësor dhe tretësor”.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se gjatë këtij takimi, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia theksoi urgjencën e përmirësimit të shërbimeve shëndetësore si një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë Kurti.
Sipas tij, kjo është hera e parë që ka një plan të tillë strategjik për ngritjen e infrastrukturës dhe pajisjeve për kujdesin dytësor dhe tretësor.
“E dimë që janë probleme sistematike, por nga stafi shëndetësor nuk mund të kërkojmë maksimumin kur mungojnë parakushtet për të ofruar shërbime sa më cilësore për qytetarët tanë që është edhe objektivi kryesor. Pasi shëndetësia është një prej prioriteteve të Qeverisë së Kosovës, gjë që dëshmohet edhe me rritjen e buxhetit që është më i larti deri më tani, si dhe me donatorët tanë të cilët kanë shprehur gatishmërinë, ky plan sado ambicioz, do të jetë i realizueshëm”, ka thënë ai.
Bëhet e ditur se grupi punues në planin e veprimit ka përcaktuar propozimet e dala nga studimi me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore në një periudhë afatshkurtër.
“Disa nga objektivat e grupit punues janë riorganizimi i shërbimeve shëndetësore sekondare dhe terciare në spitalet e përgjithshme, adaptimi i numrit të shtretërve spitalorë nevojave të shërbimeve spitalore për pacientë, modalitetet e financimit dhe sigurimit të pajisjeve të domosdoshme mjekësore, pagesa sipas performances të profesionistëve shëndetësor, janë disa nga objektivat e përfshira në Planin Strategjik të përpiluar nga përfaqësuesit e MSh, SHSKUK, spitaleve të përgjithshme dhe përfaqësues të tjerë në sektorit te shëndetësisë”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, aty theksohet se ky aktivitet bazohet në studimin e fizibilitetit ne kuadër te Kornizës Investuese te Ballkanit Perëndimor (ËBIF) që është realizuar në vitin 2022, por meqenëse gjatë periudhës 2018-2022 janë siguruar pajisje, Ministria në vitin 2022 ka bërë ri-vlerësimin e studimit të parë që synon sigurimin e pajisjeve për nivelin dytësor dhe tretësor.
“Ky studim është miratuar nga Mekanizmat e Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor dhe pritet hartimi i planit të veprimit.Propozimi për koston e projektit është 41.067.355 euro”, thuhet në komunikatë.