Moti i nxehtë dhe me vapë do të vazhdojë edhe përgjatë kësaj jave në Kosovë. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të shkojnë deri në 36 gradë Celsius.
“Mot i nxehtë dhe me vapë do të vazhdoj të mbajë edhe javën e ardhshme. Nga dita e hënë deri të mërkurën ka mundësi që të ketë ndryshim të motit, por jo në gjithë territorin. Javën që e lamë pas, reshje kishte në jug dhe jugperëndim të vendit, ndonëse kishte parashikime që të kemi reshje edhe në pjesët tjera të territorit, por prezenca e masave të fuqishme të ajrit që ishin nga perëndimi i vendit i ndryshuan kushtet meteorologjike duke i ç’vendosur vranësirat rrëzë maleve dhe reshjet e shiut në formë rrebeshi kishte kryesisht në malet e Sharrit, duke i përfshirë gjitha fshatrat e rrethit të Dragashit e deri në pjesën jugore të qytetit të Prizrenit, kurse pjesa tjetër e territorit mbeti nën ndikimin e masave të ajrit me presion të rritur atmosferik, vranësira të paqëndrueshme dhe rreze dielli. Temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve të parashikimit do të lëvizin ndërmjet 14-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-36 gradë Celsius. Indeksi UV mbetet i lartë prandaj këshillat e IKSHP që nga ora 10-17 të mos jemi në kontakt direkt me rrezet e diellit, ose të mbajmë masa mbrojtëse. Do të fryjë erë nga juglindja dhe jugperëndimi e lehtë dhe lokalisht e fortë”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.