UBT News

​Mos fillimi i vitit shkollor, PDK: Kurti mbylli shkollat, futi Kosovën në terr dhe po thellon krizën ekonomike

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë e Kosovës që sot nuk ka nisur viti shkollor në Kosovë. Sipas tyre Kosova tani përtej ballafaqimit me terr ekonomik e energjetik, po ballafaqohet edhe me terr edukativ.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha deklaroi se sot kryeministri, Albin Kurti i ka lënë pa paga, pasi ai nuk do dialog por nënshtrim.

Hoxha tha se ekzekutivi po hakmerret padrejtësisht ndaj mësimdhënësve, derisa shtoi se “dikur Kurti premtonte kthimin e trurit në Kosovë ndërsa sot po merr vendime pa tru”.

Albin Kurti i cili dikur premtonte kthimin e trurit në Kosovë sot po merr vendime pa tru. Albin Kurti u ka shpallë luftë mësimdhënësve duke i lënë pa paga vetëm se janë në grevë, duke kërkuar të drejtën e tyre dhe duke e prekur kështu në themel mirëqenien e tyre edhe ashtu solide dhe jashtëzakonisht të rëndë. Albin Kurti nuk do dialog social, Albin Kurti do nënshtrim, dhe këtë po e bën përmes presionit dhe hakmarrjes duke u munduar të shuaj edhe këtë zë sindikal dhe të në mënyrë kundërligjore dhe antikushtetuese. Dhe kjo pikërisht në kohën kur inflacioni dhe gjendja e rënduar ekonomike ka përfshirë gjithë shoqërinë kosovare, ku investimet kapitale janë ndalur tërësisht dhe ku të rinjtë dhe të rejat e Kosovës nuk shohin ardhmëri dhe shpresë në Kosovë”, u shpreh deputetja e PDK-së.

Deputetja e PDK-së tha se si rezultat i mendjeve të errësuara të Qeverisë Kurti, vendi sot po ballafaqohet edhe me terr edukativ.

Mësimdhënësit e Kosovës sot është dashur t’i kenë pagat e tyre edhe ashtu të pamjaftueshme në llogari, për të mbuluar kreditë dhe shpenzimet elementare të mbijetesës veçmas kur kjo bëhet e qartë se sa e përballueshme është bërë jeta në Kosovë, sa është rënduar gjendja ekonomike dhe niveli i rritjes së inflacionit. Ne jemi mësuar që akterët e kësaj qeverie edhe dikur në opozitë edhe sot në pozitë, t’i shohim si e mohojnë historinë sepse është dukuri e tyre në çdo aspekt dhe në çdo sferë. Si pasojë e kësaj sot ne jemi në terr energjetik, dhe kjo sikur të mos mjaftonte, përtej territ ekonomik, sot jemi edhe në terr edukativ, dhe krejt kjo si rezultat i mendjeve të errësuara të qeverisë Kurti”, tha Hoxha.

E koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa tha se dështimi për ta furnizuar vendin me energji elektrike gjatë mujave të verës paraqet shqetësim për atë çka na pret në muajt në vijim.

Mustafa i ka bërë thirrje qeverisë që ta kthej vëmendjen tek problemet ekonomike që po e rëndojnë jetën e qytetarëve.

Sipas tij reduktimet me energji elektrike përveç që po ulin cilësinë e jetës, ato po godasin rëndë edhe bizneset.

Ekonomia jonë po kalon nga një fazë e krizës, në një fazë edhe më të rëndë të krizës përderisa qeveria e Kosovës me paaftësinë e saj për të reaguar duket se është dorëzuar para këtyre vështirësive dhe nuk duket askund duke e ushtruar rolin që i takon në mbështetje të ekonomisë së vendit. Në kohën kur të gjithë ishin duke pritur për një aktivizim të qeverisë në ndihmë të ekonomisë, po vërejmë një aktivizëm mjaft të madh të ministrit të financave, për fatkeqësisht jo duke na prezantuar ndonjë pako të masave ekonomike që do ti ndihmonte qytetarët të ballafaqohen me këtë depresion të madh ekonomik që e ka kapluar vendin. Përkundrazi, ministri i Financave u paraqit në një rol të ri, në atë të shtypësit të grevave përmes ndalimit të pagesës për shumë punonjës të sektorit publik”, tha Mustafa.

Nxënësit në Kosovë nuk kanë nisur vitin shkollor sot më 1 shtator, pasi mësimdhënësit janë në greva.

Exit mobile version