Komuna e Prishtinës ka nisur monitorimin e zhurmës brenda lokaleve të gastronomisë, e cila do të bëhet nga Dhoma e Monitorimit e cila sot është funksionalizuar. Për ata që tejkalojnë me zhurmën u tha se sistemi i kontrollit do t’i shqipton gjobat në mënyrë automatike, e të cilat do të jenë nga 500 deri në 3 mijë euro, madje parashihet edhe mbyllje të lokaleve nga tetë ditë.
Derisa për ata që ende nuk kanë aplikuar për vendosjen e pajisjeve që e kontrollojnë zhurmën u tha se nisin dënimet që nga sot.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se tanimë kanë instaluar një numër të madh të censorëve dhe kanë krijuar edhe rregulloren. Ai u lavdërua se ky sistem i kontrollit është i vetmi në botë dhe për ta marrë këtë kishte interesim edhe nga një senator amerikan.
“E kemi çdo bazë ligjore që nëpërmjet këtij sistemi ta monitorojmë, ta kontrollojmë zhurmën në kryeqytet, në restorante të ndryshme dhe po ashtu edhe gjoba për ata që nuk kanë aplikuar. Pra nëse ata që nuk kanë apliku dhe operojnë do të ketë gjoba, pra do të fillojmë prej sot dhe për fat të keq nuk është ajo çka duam por duam por është mënyra e vetme që ta krijojnë një balancë për të gjithë… me operatorin kemi krijuar një sistem që nuk ekziston askund në botë, faktikisht është një gjë e re, domethënë Prishtina me këtë sistem është lider në botë dhe kemi pas diskutime të shumta me të tjerë, p.sh një senator amerikan e ka kërkuar por i kemi thënë se pa e testuar ne dhe pa e pa që po punon këtu dhe me vendos rendin në kryeqytet, nuk do të punojmë me të tjerë”, tha ai.
Sipas tij, bizneset nuk lejohen ta kenë zhurmën më shumë se 60 decibel, derisa dha detaje edhe për gjobat.
“Gjobat në bazë të rregullores i kemi nga një mijë deri në tre mijë, por faktikisht sistemi operon në nivele, pra nëse e kalon, herën e parë atëherë e ka vërejtje, nuk ka gjobë. Vërejtja i shkon në email secilit operatorë që është i regjistruar. Nëse e kalon prapë, atëherë e kemi gjobën e parë 500 euro , nëse e kalon edhe herën e dytë, gjoba është 1000 euro. Nëse e kalon herën e tretë, atëherë operatori mbyllet për tetë ditë dhe hapet prapë. Mirëpo prapë nëse e kalon vazhdon të ngritët gjoba prej 1000 në 1500, e mas andej 2000…ata që nuk kanë leje do të gjobiten, nuk mund të gjobiten pa leje, duhet secili, e kanë pas periudhën kohore, ne e kemi zgjat një herë, e kemi zgjatë dy herë që secili operator me apliku dhe me pas instalimin e censorëve, deri tash i kemi diku rreth 350 aplikues dhe 350 janë instaluar. Ndërsa, që nuk kanë apliku e lëshojnë muzikë, do të gjobitën derisa ta marrin licencën për me lëshuar muzikë”, tha ai.
Kurse, drejtori i Inspektimit, Florian Dushi tha se nëpërmjet kësaj dhomë e serverëve do të kenë mundësi që drejtpërdrejt të mbikëqyrin dhe monitorojmë zhurmën e cila tejkalohet në rastin e lokaleve të gastronomisë.
“Sistemi do të gjenerojë informatat edhe për vet pronarët e këtyre bizneseve por edhe për inspektorët të cilët do të vazhdojë kontrollet sa i përket orarit të punës, ndërkohë që sistemi do të gjenerojë gjobat në mënyrë automatike për secilin biznes. Ju po e shihni e kemi si hartë por edhe bizneset veç e veç secili prej tyre do të mund të kontrollohet dhe të shihet nëse i ka tejkaluar decibelët e lejuar, njëjtë do të kenë mundësi të kenë qasje të gjithë qytetarët e kryeqytetit por njëkohësisht do të kenë qasje edhe vet pronarët e gastronomisë për të qenë më të kujdesshëm për mos prodhimin e zhurmës së bezdisshme për qytetarët”, tha ai.
Kurse, drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Basri Shabani, përgëzoi për lanësimin e këtij projekti të rëndësishëm për qytetarët dhe gastronomët dhe se ky projekt do t’i ndihmojë edhe Policisë së Kosovës.
“Dihet se kemi pak probleme sa i përket zhurmës dhe në këtë drejtim kemi pas ankesa në baza ditore sa i përketë çështjes së kalimit të decibelëve të zhurmës dhe Policisë së Kosovës do t’i ndihmojë shumë në reduktimin e personelit në këtë drejtim”, tha ai.
E përfaqësuesit e gastronomëve thanë se për ata është një lehtësim sepse është një shmangie e konkurrencës jolejale.