Lagjia “Kalabria” në Prishtinë, 75 përqind e komunës së Fushë Kosovës dhe disa vende të tjera të cilat furnizohen nga kanali i Ibrit po kanë telashe me furnizimin me ujë të pijshëm. Kjo pasi që Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka zvogëluar prodhimin e ujit në fabrikën e trajtimit të ujit në Shkabaj, pasi aty është turbulluar uji.
Kështu bëri të ditur për KosovaPress, zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku. Mjeku thotë se reshjet e mëdha të shiut kanë rritur nivelin e ujit në Liqenin Batllavës dhe Badovcit në dy metra.
“E rëndësishme menjëherë pas vërshimeve në vendin tonë për shkak të reshjeve të dendura atmosferike të shiut dhe borës, është se ne si kompani fillimisht përveç furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarë e para është që ta ruajmë kualitetin e ujit të pijshëm pasi e kemi edhe rekomandim nga IKSHPK. Me këtë rast ne kemi zvogëluar prodhimin e ujit në Shkabaj në fabrikën e trajtimit të ujit në Shkabaj për shkak që është turbulluar në masë të madhe nga rrjedhat fushore që vijën direkt në kanalin e Ibrit për shkak të turbullirës që është krijuar nga këto reshura. Vështirësi në furnizim me ujë të pijshëm kanë lagja Kalabria në Prishtinë, 75 përqind e Fushë Kosovës që furnizohet nga gypi i shkabajve dhe po ashtu dhe në pjesë të tjera e jemi munduar që të bëjmë një zgjidhje kemi bërë një bay pass me gyp kështu që dhe disa lagje ndoshta mund të kenë reduktime të ujit”, tha Mjeku për KosovaPress.
Mjeku tregon edhe se departamenti për kualitetin e ujit është duke monitoruar gjendjen në terren dhe cilësinë e ujit.
“Për shkak që të ruajmë kualitetin ne patjetër është dashur që ta zvogëlojmë edhe prodhimin e ujit me rekomandime të institutit, në të njëjtën kohë, departamenti i kualitetit të ujit është duke monitoruar gjendjen edhe në terren edhe në laboratorin e akredituar brenda kompanisë, janë duke monitoruar cilësinë e ujit të pijshëm 24 orë pandërprerë. Po ashtu ekipet e ujësjellësit janë në teren ditë e natë, janë duke punuar 24 orë pa ndërprerë dhe në të njëjtën kohë edhe ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimit sepse ka pas raste të shumta që iu kanë dalë ndihmë qytetarëve me këto mundësi. Edhe gjatë ditës së sotme janë në teren. Ne çka kërkojmë nga qytetarët në këto momente është që të kenë durim”, tha Mjeku.
Mjeku tregon për rritjen e nivelit të ujit në Liqenin e Batllavës dhe Badovcit.
“Një e mirë nga këto vërshime është që liqenet akumuluese Badovci dhe Batllavë po mbushen me ujë të cilat garantojnë një furnizim stabil për periudhat vijuese. Nivele i ujit në të dyja liqenet ka pas rritje prej 2 metra mirëpo edhe ardhjet nga lumenjtë, përroskat, përrojet që janë duke ardhur direkt në liqeje ardhjet janë shumë të mëdha dhe kjo është një laj i mirë për furnizim me ujë të pijshëm për periudhat vijues. Por fatkeqësisht vërshimet po e bëjnë të vetën në shumë zona. Është fatkeqësi që këto vërshime e kanë kapluar vendin tonë në shumë zona, është e dhimbshme për ne”, tregoi Mjeku.
Mjeku thotë se deri më tani nuk është raportuar për ndonjë dëm të madh, por megjithatë ajo thekson se janë mobilizuar për të reaguar në çdo situatë.
“Nuk kemi të raportuar ndonjë dëme të madh material. Por edhe po të shkaktonte ne ekipet i kemi në terren, kemi sjellë edhe ekipe shtesë. Psh ekipet e Prishtinës shkojnë në Obiliq, Fushë Kosovës, pra aty ku është e nevojshme. Ne jemi mobilizuar qoftë për cilësinë e ujit të pijshëm qoftë për furnizimin me ujë të pijshëm. Por përshkak të një çrregullimi të krijuar përshkak turbullirës në kanalin e Ibrit, kenë pak durim qytetarët deri në stabilizimin e situatës po shpresojmë që me ndërprerjen e reshjeve të shiut do të largohet edhe turbullira nga kanali i Ibrit”, është shprehur Mjeku.
Kujtojmë që reshjet e pandërprera të shiut kanë shkaktuar vërshime në shumë vende të Kosovës, madje ka vërshuar dhe disa shtëpi, lokale afariste e ka shembur edhe ura në disa zona.