Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Asociacionit të Komunave të Kosovës sot (e martë) është bërë anëtarësimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK).
Votimi për anëtarësimin e Mitrovicës së Veriut në AKK ka kaluar me votat e të gjithë delegatëve të Kuvendit dhe ka ardhur pas kërkesës së Komunës së Mitrovicës së Veriut e cila ka marrë vendim në Kuvendin e Komunës për t’u anëtarësuar në Asociacion.
Pas anëtarësimit, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq në fjalën e tij tha së është i lumtur për këtë anëtarësim, për çka falënderoi delegatët e Kuvendit të Asociacionit dhe tha se do të japin kontributin e tyre në sfidat dhe adresimet e qeverisjes lokale në nivel vendi.
Asociacioni i Komunave të Kosovës është themeluar me 30 qershor 2001 pas zgjedhjeve të para lokale e demokratike pas luftës së fundit në Kosovë.
Nga 38 komuna sa ka Kosova, 34 prej tyre janë anëtare në Asociacionin e Komunave të Kosovës, të cilat marrin pjesë në aktivitetet tona, japin ide e sugjerime, marrin pjesë në të gjitha strukturat e Asociacionit që nga Kuvendi, Bordi, Këshilli i Kryetarëve dhe Kolegjiumet Profesionale.
Po ashtu komunat anëtare marrin shërbime, projekte e zhvillim të kapaciteteve nga Asociacioni i Komunave dhe Qendra e Trajnimit brenda Asociacionit.
Anëtarësimin e një komune në Asociacion e bën Kuvendi i AKK-së me shumicën e votave dhe pas kërkesës së një komune, e cila bën kërkesë pas vendimit të Kuvendin e Komunës përkatëse ku shpreh interesim, dëshirë dhe nevojë për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës.