Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Mario Banozhiq ka folur sot rreth rrëzimit të dronit në Zagreb të premten mbrëma. Ai tha se për shkak të mundësisë që droni të përmbante eksploziv, duhej bërë një largim i kujdesshëm i tij. Ai pret që kutia e zezë do të ofrojë informacione të dobishme dhe se do të jetë e mundur të rinisë fluturimi i dronit.
“Janë gjetur gjurmë eksplozivi, por edhe gjurmë që tregojnë se ky nuk ishte një dron zbulues. Ne gjetëm pjesë të një bombe ajrore, e cila është prodhuar në Bashkimin Sovjetik. Pas analizës do të mund të themi se çfarë lloji është dhe për çfarë qëllimesh. Për momentin, mund të themi vetëm se bomba ajrore është përdorur në avionë të prodhimit sovjetik”, tha ai.
Sipas tij, ka elementë që tregojnë se droni mund të ketë ardhur si nga pala ruse ashtu edhe nga ajo ukrainase. Ai ka bërë të ditur se NATO të njoftohet në momentin kur të dihet se për çfarë lloj bombe bëhet fjalë.
“Nëse situata do të ishte zgjidhur në vendet fqinje, ne nuk do të ishim këtu sot. Kam biseduar me ministrat hungarez dhe rumunë, më kanë thënë se po bëjnë vlerësim, pres përgjigje”, thotë Banozhiq.
I pyetur nëse mund të karakterizohet si një sulm ndaj Kroacisë, ai tha se ishte i sigurt se “do të jetë e mundur të përcaktohet se nga erdhi droni.
Ministri tha gjithashtu se droni është modifikuar dhe se është i sigurt se do të mund të nxirren të dhëna nga kutia e zezë edhe pse ajo është e dëmtuar.
Në opinion ka dalë informacioni se një delegacion i Ministrisë së Mbrojtjes do të shkojë javën e ardhshme në ShBA për të kërkuar vendosjen e sistemit antiraketor Patriot në Kroaci. Banozhiq tha se do të shkojë në një takim me amerikanët dhe francezët javën e ardhshme për të gjetur zgjidhjen më të mirë.
Pjesëtarët e shërbimeve kompetente nxorën jashtë vendit të dielën një pjesë të madhe të rrënojave të një droni sovjetik që u rrëzua në lagjen Jarun të Zagrebit pranë Konviktit Studentor.
Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse droni u tërhoq tërësisht nga krateri i madh ku u rrëzua, dhe se ushtria dhe policia janë në vendngjarje.