Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në Fondin e Sigurisë, përmes llogarisë aktive brenda apo jashtë Kosovës. Sipas tij, në këtë mënyrë do të forcohej ushtria e Kosovës.
Mehaj ka shkruar se ushtria e vendit po konsolidohet në vazhdimësi përmes investimit në armatime dhe pajisje të tjera ushtarake.
“Ushtria jonë përmes investimit në armatime dhe pajisje të tjera ushtarake po konsolidohet në vazhdimësi. Që të jetë edhe më e fortë për të garantuar një Kosovë më të sigurt, të gjithë ju qytetarë të dashur mund të kontribuoni duke dhuruar në Fondin e Sigurisë në llogarinë aktive brenda apo jashtë vendit”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Ai gjithashtu ka publikuar mënyrën alternative për të kontribuuar, duke shfaqur fotografinë e faqes që i dedikohet Fondit të Sigurisë në eKosova.
Të dielën, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.
“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se Kosova tash është edhe më e sigurt, “përveçse gjithnjë krenare”.