Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe kolonel Ejup Maqedonci të hënën kanë realizuar një takim virtual me ushtaraket dhe ushtarakët e Kosovës të cilët po studiojnë në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst, në Mbretërinë e Bashkuar.
Me këtë rast, ministri Mehaj u shpreh se këta ushtarakë janë krenaria dhe aseti më i çmuar i ushtrisë sonë.
“Së bashku me kryeministrin Kurti dhe kolonel Maqedoncin, realizuam një takim virtual me ushtaraket dhe ushtarakët tanë, të cilët janë duke studiuar në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst, në Mbretërinë e Bashkuar. Ushtaraket dhe ushtarakët tanë, me sukseset në studimeve dhe performancën e tyre në akademinë e mirënjohur në Sandhurst, sikur edhe në akademitë tjera, janë krenaria dhe aseti më i çmuar i ushtrisë sonë”, ka shkruar Mehaj.
Mehaj thotë edhe se Qeveria me dyfishimin e buxhetit për FSK-në, dëshmon vizionin dhe vendosmërinë për arsimimin, stërvitjen e personelit tonë si dhe pajisjen dhe modernizimin e forcave tona./UBTNews