UBT News

​Mehaj takon Escobarin: Rrugëtimi i Republikës së Kosovës ka destinacion final anëtarësimin në BE dhe në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë qëndrimit në Amerikë është takuar me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherazi mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai në Facebook ka shkruar se, ka diskutuar për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, bashkëpunimin me misionin e KFOR-it dhe NATO-s, e po ashtu edhe për politikat destabilizuese të cilat, sipas tij po i ndjek pala serbe përmes shpërndarjes së informatave të pavërteta, bashkëpunimit me Federatën Ruse, dhe presionit të vazhdueshëm që ushtrojnë mbi qytetarët e Kosovës dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të komunitetit serb, të cilët jetojnë në pjesën veriore të vendit.

Postimi i plotë:

Në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kisha takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherazi mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, z.Gabriel Eskobar, me të cilin diskutuam për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, bashkëpunimin që kemi me misionin e KFOR-it dhe NATO-s, e po ashtu e vura në dijeni për politikat destabilizuese të cilat po i ndjek pala serbe përmes shpërndarjes së informatave të pavërteta, bashkëpunimit me Federatën Ruse, dhe presionit të vazhdueshëm që ushtrojnë mbi qytetarët e Republikës së Kosovës dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të komunitetit serb, të cilët jetojnë në pjesën veriore të vendit.

Po ashtu theksova edhe njëherë se qëndrimet e Republikës së Kosovës janë të qarta, ashtu si gjithmonë ne jemi pro politikave evropiane, krijimit të një ambienti të sigurtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim etnie, për këtë dhe angazhohemi çdo ditë.

E njoftova me avancimet e FSK-së, si zbatimin e fazës së Parë të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, të hartuar bashkarisht me ISG ( Institutin për Qeverisje të Sigurisë ) dhe faktin që aktualisht jemi në fazën e dytë të implementimit të këtij plani, bashkëpunimin që e kemi me KFOR-in në monitorimin e gjithë territorit të Republikës së Kosovës, përkrahjen e ofruar për aleatët tanë, shtetet anëtare të NATO-s, në misionin për evakuimin e refugjatëve afganë, si dhe transportimin e ndihmave për popullin ukrainas.

Fatkeqësisht, të njejtën gjë nuk mund ta themi për palën serbe, të cilët vazhdojnë të mos vendosin sanksione për Federatën Ruse, ndonëse po shohin çdo ditë ashtu si e gjithë bota agresionin rus dhe krimin ndaj popullit ukrainas, duke dëshmuar kështu edhe njëherë më e pakta paaftësinë e tyre për t’u shkëputur nga politikat ruse, nëse jo dhe faktin që e kaluara e Ballkanit Perëndimor nuk ka shërbyer për ta për të nxjerrur mësim, për të kuptuar se rendi i ri në ballkan është i pandryshueshëm, andaj vendosja e 48 bazave ushtarake afër kufirit të Republikës së Kosovës nuk do e ndryshoj këtë fakt, përveçse shpërfaq hapur një klasë politike të një mendësie të vjetër me pikëpamje shumë larg vlerave demokratike të Bashkimit Evropian, dhe edhe më larg qëllimit të NATO-s.

Megjithatë, rrugëtimi i Republikës së Kosovës ka një destinacion final, anëtarësimin në BE dhe në NATO, aty ku gjeografisht gjendemi, dhe parimisht ndajmë vlera të përbashkëta, një mision për të garantuar ruajtjen e paqes në vend, rajon dhe më gjerë.

Exit mobile version