UBT News

​Mehaj dhe Savola flasin për synimet e përbashkëta për anëtarësim në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka pritur sot ministrin e Mbrojtjes në detyrë të Finlandës, Mikko Savola, me të cilin ka diskutuar rreth situatës aktuale gjeopolitike, impaktit të agresionit rus në Ukrainë, si dhe situatën e sigurisë në Kosovë, bashkëpunimin me KFOR-in, e po ashtu për synimet e përbashkëta për anëtarësim në NATO.

Mehaj ka shkruar në Facebook se temë diskutimi ishte edhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë, trajnimet e përbashkëta dimërore ndërmjet dy forcave, dhe shkëmbimi i përvojës së Ushtrisë Finlandeze, sa i përket konceptit të rezervës vullnetare, që së shpejti do të jetë formë e shërbimit edhe në ushtrinë tonë.

“Ministrin në detyrë e njoftova për zhvillimin e FSK-së, implementimin e Planit të Përgjithshëm të Tranzicionit, si dhe gatishmërinë tonë për të ofruar gjithë ndihmën e mevojshme në misonet e NATO-s, ashtu siç kemi vepruar duke asistuar në operacionin për evakuimin e refugjatëve afgan, si dhe ofrimin e trajnimeve për ushtarakët ukrainas. E ritheksova edhe një herë se synimi ynë është që të ofrojmë kontributin tonë në sigurinë e përgjithshme, andaj anëtarësimi në NATO, është objektivi ynë më i rëndësishëm. Në anën tjetër, ministri në detyrë Savola, vlerësoi lartë bashkëpunimin e FSK-së me KFOR-in dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunimin në një situatë kur synimi për anëtarësim në NATO, dhe ruajtja e stabilitetit e paqes mbeten përpjekjet kyçe të angazhimit ditor. Finlanda është shteti ynë mik me të cilët ndajmë vlerat demokratike, andaj bashkë jemi më të fortë”, ka shkruar ai.

Exit mobile version