Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë ka njoftuar se do të ketë grevë njëorëshe më 12 maj në të gjitha institucionet arsimore në vend.
Në njoftimin e SBAShK-ut bëhet e ditur se ora e parë e punës në çerdhe, shkolla dhe universitete do të jetë grevë më 12 maj.
“Pasi që ora e parë e punës në çerdhe, shkolla dhe universitete do të jetë grevë më 12 maj ju drejtohemi me apelin për mirëkuptim prindër dhe nxënës të dashur duke ju lutur që më 12 maj fëmijët në çerdhe t’i dërgoni një orë më vonë krahasuar me orarin e ditëve tjera. Po ashtu edhe në shkolla fëmijët le të nisen për të arritur me kohë për në orën e dytë të mësimit. Këtë apel dhe lutje prindër të nderuar po e bëjmë për hir të sigurisë së fëmijëve tuaj. Kërkojmë mirëkuptim edhe nga studentët sepse administrata dhe stafi tjetër në grevë do të jenë nga ora 10:00 deri në orën 11:00”, thuhet në njoftim.
SBAShK ka thënë se uron që Qeveria të angazhohet që në takime përmbajtësore me sindikatat të ofrojë zgjidhje të pranueshme për kërkesat legjitime në mënyrë që të mos ketë nevojë për protesta e grevë të përgjithshme. Derisa ka potencuar se edhe sindikatat tjera janë duke u përgatitur për grevë pasi sipas SBAShK-ut, ky është vullneti dhe zëri i anëtarësisë.