Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës ku ka diskutuar mbi zhvillimet politike në vend dhe ka marrë disa vendime me rëndësi.
Anëtarët e Kryesisë së PDK-së e vlerësuan të drejtë e të domosdoshëm vendimin e Kuvendit të Kosovës për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për menaxhimin e krizës së energjisë nga Qeveria dhe institucionet tjera përgjegjëse, që ishte propozim i Grupit Parlamentar të PDK-së i mbështetur edhe nga deputetë të partive tjera të opozitës.
PDK si lidere e opozitës po luan rolin e saj demokratik në mbikëqyrjen e punës së qeverisë dhe puna e Komisionit Hetimor Parlamentar do të zbardhë çdo keqpërdorim dhe keqmenaxhim të Qeverisë dhe institucioneve tjera gjatë krizës energjetike, ku qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të paguajnë faturat e energjisë me rritje të çmimit mbi 100 për qind, thuhet në komunikatë.
Në vazhdën e reformave dhe të konsolidimit të degëve të PDK-së, në pajtim me vendimin e mbledhjes së fundit të Këshillit Drejtues, si dhe në bazë të nenit 31 të statutit, Kryesia e PDK-së ka vendosur që të caktojë udhëheqjen e përkohshme në Degën e PDK-së Istog, me kryetar Ali Nimanaj si dhe në Obiliq me kryetare Enisë Haliti, të cilët bashkë me anëtarët e rinj të Kryesive të Degëve përkatëse, kanë përgjegjësi të konsolidojnë të gjitha strukturat e degëve deri në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta në PDK.