Të paktën 527 persona janë vrarë në Iran që nga fillimi i demonstratave antiqeveritare më shumë se katër muaj më parë, thuhet në një raport të Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut me qendër në SHBA.
“Në mesin e tyre edhe 71 të mitur dhe 70 anëtarë të policisë dhe forcave të tjera të sigurisë”, sipas të dhënave të grupit.
Në total, rreth 20 mijë persona janë arrestuar. Më shumë se 100 prej tyre po përballen me dënime me vdekje. Disa protestues tashmë janë ekzekutuar.
Vala e demonstratave mbarëkombëtare u shkaktua nga vdekja në paraburgim policor e Mahsa Aminit, më 16 shtator të vitit 2022.
Raporti thotë se protestat janë përhapur në 160 qytete jashtë Teheranit.
Autoritetet iraniane nuk kanë dhënë ende informacione mbi numrin e përgjithshëm të vdekjeve dhe arrestimeve.