Për dallim nga qytetarët e Kosovës, ata në Luginën e Preshevës kanë mundësi të zgjedhin katër lloje të vaksinave anti-COVID.
Deri më tani në këtë komunë janë vaksinuar mbi 2 mijë qytetarë, ndërkohë që zotimet janë se nuk ka dyshime në marrjen e vaksinave dhe se Serbia nuk i ka diskriminuar ata në marrjen e kësaj vaksine. Megjithatë, i pari i kësaj komune thotë se ka pasur presion tek qytetarët nga kundërshtarët politikë.
Në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi thotë se vaksinimi ka filluar masivisht qysh nga janari i këtij viti dhe se për më tepër, kjo komunë posedon katër lloje kryesore të tyre të cilat gjenden në treg.
“Qytetarët kanë mundësi të përzgjedhin cilën (vaksinë të) duan. Dhe deri më tani i kemi vaksinuar 2 mijë e 300 qytetarë në komunën e Preshevës. E njëjta vlen edhe për komunën e Bujanocit, por edhe Medvegjës. Për momentin vaksinimi është duke shkuar mirë, gjithashtu edhe unë jam vaksinuar ditëve të fundit. Dhe këtë e kam bërë se ka pasur këtu një lidere shqiptare politike, e cila ka shpreh skepticizëm dhe ka krijuar panik në komunën e Preshevës pas vaksinimit të dytë. Për këtë arsyeje e kemi publikuar edhe ne vaksinimin”, deklaron ai.
Lista është e gjatë e qytetarëve të cilët kanë kërkuar vaksinimin, ani pse Arifi thotë se kundërshtarët e tij politikë kanë dashur të ndikojnë tek qytetarët.
“Presioni subjektiv i opozitës këtu nuk ndalet kurrë sepse më shumë e kanë të ndërtuar në interesa se sa në parime. Por e rëndësishme është se qytetarët janë të interesuar të vaksinohen dhe t’i kthehen jetës normale prapë”, shton Arifi për KosovaPress.
I pari i Luginës së Preshevës thekson se pritjet nuk janë të gjata për vaksinim. Siç tregon ai, një deri në dy javë pritet janë për vaksinim me atë të Kinës, ndërsa për vaksinën Pfizer pritjet janë më të gjata.
Tutje, ai thekson se gjendja në këtë komunë nuk është më alarmante, për këtë thekson se masat janë duke u respektuar.
“Në disa ditë është pesë deri në 10 (të infektuar), dita-ditë është më poshtë se pesë. Në krahasim në fundvitin 2020 gjendja është dukshëm më e lehtë. Por, prapë çdo i infektuar është i rrezikuar me jetë. Masat që ne i kemi në dispozicion, jeta është e kufizuar, distanca sociale që duhet të përmbahet në vend pune, por edhe në vendqëndrime. Numri që është i kufizuar në vendqëndrime dhe vende publike, në vazhdimësi është maska dhe higjiena”, shton ai.
Shqiptarët e Preshevës që jetojnë në Kosovë mund ta marrin vaksinën nëse janë të pajisur me dokumentacionet e duhura, mirëpo kosovarët që nuk janë të regjistruar në këtë komunë nuk mund ta marrin atë. Komuna e Preshevës është ndër vendbanimet e para shqiptare që ka vaksinat e para kundër koronavirusit, pas zonave të banuara me serb në Kosovë.