Që nga dita e djeshme kur në Kosovë ka nisur edhe shpërndarja e dozës së dytë për profesionistët shëndetësorë, deri sot me këtë dozë janë imunizuar mbi 2 mijë. Ndërsa, në nivel vendi deri tani janë vaksinuar vetëm me dozën e parë mbi 74 mijë qytetarë të Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur menaxheri i qendrës kryesore të vaksinimit në sallën “1 tetori”, Niman Bardhi i cili tha se vetëm sot në këtë sallë janë vaksinuar 450 persona, ndërsa në nivel vendi janë imunizuar rreth 1 mijë e 600.
“Aktualisht deri në këto qaste që në flasim kemi në sallën “1 Tetori” mbi 450 të vaksinuar nëse i referohemi nivelit të vendit kemi rreth 1 mijë e 600 të vaksinuar. Nga totali i përgjithshëm nga dita e parë e vaksinimit deri në këto qaste që flasim atëherë kemi rreth 74 mijë e 500 të vaksinuar dhe siç po e shihni të gjithë qoftë qytetarët qoftë personeli shëndetësor janë duke respektuar orarin dhe terminët nga telefonatat e pranuara nga Qendra e Thirrjeve dhe fatbardhësisht çdo gjë që deri tani të ecë shumë mirë”, tha Bardhi.
Bardhi tutje tha se mbi 2 mijë mjekë dhe infermierë nga dje e kanë marrë dozën e dytë të vaksinës AstraZeneca.
“Nëse i referohemi totalit deri më tani mbi 2 mijë janë të vaksinuar tashmë sa i përket procesit të dozës së dytë dhe të gjithë këta po respektojnë kohën e ndarë për ta sipas terminëve të ndara nga Qendra e Thirrjeve”, tha Bardhi.
Në Kosovë tashmë ka nisur edhe dhënia e dozës së dytë e vaksinës AstraZeneca për profesionistët shëndetësor të cilët dozën e parë e morën në fillim të muajit prill.
Ndërsa, aktualisht po vazhdon edhe vaksinimi i qytetarëve mbi moshën 65 vjeç. Gjithë vaksinimi po realizohet me donacionet e dhuruara nga COVAX dhe BE-ja. E Kosova javën e kaluar ka nënshkruar me kompaninë Pfizer blerjen e 1.2 milion vaksinave kundër COVID-19, derisa vaksinimi masiv është paralajmëruar të fillojë nga 15 qershori.