Me qëllim të informimit dhe vetëdijësimit të popullatës mbi dhunën në familje, është organizuar fushata vetëdijësuese kundër dhunës ne familje. Kjo fushatë e organizuar nga Instituti Clard dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi është në kuadër të projektit “Edukimi kundër dhunës në familje dhe ngacmimit seksual”.
Gjatë fushatës janë shpërndarë mbi 20 mijë broshura informative e janë mbajtur ligjërata në shkollat e mesme.
Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj tha se qëllimi i kësaj fushate ka qenë informimi i qytetarëve lidhur me të drejtat e tyre në rastet e dhunës në familje.
“Në kuadër të projektit me Institutin Clard kemi ofruar me qindra raste ndihma juridike falas. Edhe përkundër kampanjave fatkeqësisht ende gjyqtarët, prokurorët e policia nuk janë në gjendje të ushtrojnë kompetencat e tyre”, ka thënë Miftaraj.
Ndërkaq, Anton Nrecaj nga Instituti Clard ka njoftuar se vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti janë raportuar në të gjithë Kosovën mbi 1 mijë e 300 raste të dhunës.