Bardhyl Mahmuti në 24 vjetorin e masakrës në Burgun e Dubravës, ka shkruar se bombardimi i caqeve civile shqiptare nga aviacioni serb u shoqërua me një propagandë të paparë nga ana e ministrit të atëhershëm të Informacionit në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vuçiqit për të fajësuar NATO-n për këto aksione dhe duke fshehur krimin dhe duke fajësuar NATO-n, Serbia kreu një krim të dyfishtë.
Mahmuti ka shkruar se përkundër asaj se konferencën për shtyp të Pentagon, të datës 21 maj 1999, ShBA demanton në mënyrë të argumentuar se prapa këtij krimi nuk qëndrojnë forcat e NATO-s, propaganda e Joseph Goebbelsit ballkanik, krijoi huti kaq të madhe, saqë sot e kësaj dite shpërndahen, në mënyrë të pavetëdijshme sajesat serbe.
“Sot, në 24-vjetorin e fillimit të krimit të gjenocidit në Burgun e Dubravës, përkujtojmë 19 majin e vitit 1999, kur aviacioni serb bombardoi pavijonin C1 të këtij burgu dhe vrau tre kolos të çështjes sonë kombëtare dhe të luftës së UÇK-së: Enver Topallin, Abdullah Tahirin dhe Gjokë Ndrecajn. Gjatë periudhës 19-23 maj 1999 forcat serbe kryen njërin ndër aktet më të rënda gjenocidare që njihet me emrin “Masakra e Dubravës”, gjatë së cilës u vranë 117 shqiptarë dhe u plagosën rreth 400 të tjerë. Lavdi Enver Topalliit, Abdullah Tahirit dhe Gjokë Ndrecajt. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjitha viktimat e gjenocidit”, ka shkruar ai, duke ofruar edhe disa video nga konferenca për shtyp në Pentagon, e datës 21 maj 1999.
24 vjet më parë në Burgun e Dubravës ka filluar të kryhet njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit i Sllobodan Millosheviq.