Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka marrë dozën e parë të vaksinës antiCOVID. Ai është i pari që e ka marrë vaksinën në këtë komunë, duke iu bërë thirrje të gjithëve që të vaksinohen.
“Unë i jam paraqitur thirrjes për vaksinim anti-COVID-19 për të filluar sensibilizimin. Me dëshirën time personale do t’ia lejoja një personi më të moshuar për t’u vaksinuar, por këtë e bëra për shkak të nevojës që të krijojmë besim tek vaksina. Përpos punëtorëve shëndetësorë, besojmë shumë që së shpejti do të fillojmë vaksinimin edhe për personat mbi moshën 75-vjeçare, të cilët janë regjistruar. Unë i ftoj të gjithë që të lajmërohen për ta marrë vaksinën kundër COVID-19 në momentin që do t’i kemi dozat”, shtoi Haziri.
Sipas njoftimit zyrtar të komunës, në Gjilan aktualisht janë 765 raste aktive me COVID-19, ndërkohë që 110 qytetarë janë në hospitalizim.
Ai bëri të ditur se vetëm ditën e enjte, tri ekipet e shëndetësisë primare kanë bërë 95 vizita në shtëpi, duke iu dhënë shërbime personave të prekur nga ky virus. Haziri ka apeluar qytetarët që të vazhdojnë t’i zbatojnë masat kundër përhapjes së virusit.
Gjilani është furnizuar me 980 doza të vaksinës kundër COVID-19 për punëtorët shëndetësorë. Pas Hazirit, vaksinën e mori edhe kryetari i Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetësisë Publike, dr. Ajhane Sefiu dhe drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Ukshin Ismaili./UBTNews