Në Shkup të Maqedonisë së Veriut do të mbahet Samiti i Krerëve të Shteteve në Procesin e Brdo Brijunit. Pjesë e këtij samiti është edhe presidentja Vjosa Osmani.
Në sesionin e përbashkët me liderë të rajonit, Osmani do ta mbajë fjalim, ndërkaq më pas do të zhvillojë takime bilaterale me krerët e disa shteteve pjesëmarrëse, njofton Presidenca.
Temat qendrore të takimit të sivjetmë janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.
Takimi i Brdo-Brijuni është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, e ku fokusi kryesor është në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e rajonit në BE.
Ky proces është një nismë rajonale e bashkëthemeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010.
Gjatë qëndrimit të Maqedoninë e Veriut, presidentja Osmani, krahas presidentit Stevo Pendarovski dhe atij të Shqipërisë, Bajram Begaj, do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të Shën Terezës në hapësirën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup.