Deputetja nga LDK Valentina Bunjaku-Rexhepi ka thënë se grupi parlamentar i këtij subjekti politik është kundër zgjatjes së masave emergjente në furnizimin e energjisë elektrike.
Deputetja Bunjaku-Rexhepi ka thënë se këto masa nuk u bëjnë zgjidhje qytetarëve në këtë krizë energjetike.
“Është hera e 6 që i njëjti arsyetim po vije për vazhdimin e masave emergjente dhe këto masa absolutisht nuk po bëjnë zgjidhje për qytetarët. Çka po ndryshon situata me energji elektrike me këto masa të panevojshme emergjente, cili është plani juaj si Qeveri? Vetë keni deklaruar se do të keni një dimër me reduktime të energjisë të mëdha. A keni bërë kontratë për blerjen e rrymës sikurse vendet tjera të rajonit? Ne jemi kundër këtyre masave emergjente sepse rryma pritet të shtrenjtohet, inflacioni në rritje, paga jo, projektligji për pagat nuk erdhi dhe mbi të gjitha ju me këtë kërkesë po dëshironi me legjitimua që do të ketë rritje të energjisë elektrike dhe qytetarëve të bëjnë jetë të papërballueshme”, theksoi ajo.
Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme po shqyrton vendimin e Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë.