Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka kritikuar Qeverinë dhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për dështimin e mbajtjes në funksion të kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike.
Në seancën e jashtëzakonshme për zgjatjen e masave emergjente, deputeti Gashi theksoi se është pakuptimtë të kërkohet nga Kuvendi zgjatja e masave emergjente edhe për 30 ditë, derisa sipas tij, Qeveria dhe KEK-u kanë dështuar për remontin e njësisë A-5.
Ai tha se gjashtë muaj kjo njësi mbeti jashtë funksionit, dhe me anë të këtij ligji për masat emergjente, po dëmtohen bizneset.
“Cilat janë kapacitet prodhuese, çka ka bërë qeveria me i mbajtur stabile kapacitetet prodhuese. E ka shpallur tenderin kompania që funksionon në emër të qeverisë, Korporata energjetike e Kosovës për remont të njësisë A5 dhe pastaj e ka anuluar. Dhe kështu qe 5-6 muaj jashtë funksionit, dhe kështu ka dështuar me i kryer punët emergjente që i ka pasur dhe vjen i thotë kuvendit vazhdoni masat edhe 30 ditë. Çka keni me bërë për 30 ditë? Në anën tjetër me këto vendime qeveria po ua mohon të drejtat e qytetarëve për me u ankuar se KEDS-i ka bërë dëm me qindra mijëra euro një kompanie prodhuese. Pra kështu po u mohohet me ligj”, theksoi ai.