Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) ka dorëzuar sot në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) listat e kandidatëve për kryetarë të komunave dhe këshilltarë në kuvendet komunale.
Pas dorëzimit të listave në KQZ, kanë folur për media anëtari i kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri dhe zëdhënësja e kësaj partie, Sibel Halimi.
Për zgjedhjet e 17 tetorit, Halimi theksoi se janë publike të gjithë emrat e kandidatëve me të cilët kjo parti do të hyjë në garë. Ndërsa, Halimi që është kandidate për Ferizaj, veçoi se LDK, e vetmja parti për herë të parë në këto zgjedhje garon me tri gra.
“LDK ka zyrtarizuar të gjithë kandidatët për kryetar dhe kryetare në nivel të komunave. Për herë të parë në Kosovë kemi tri gra kandidate për kryetare, kështu që ky është një lajm i mirë. Po ashtu kemi edhe përfshirje të reja në listat e asamblistëve në nivel të komunave. Kështu që na priftë e mbara”, tha Halimi.
Kryetari aktual i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri që pretendon edhe një mandat, tha se për komunat si Skenderaj e Han i Elezit, degët kanë vendosur për të mos kandiduar me kandidatë vetëm me listë për asamble.
“Ne tash kemi dorëzuar aplikimet për ato që janë bërë zyrtare nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkohë që në komunat si Skenderaj, Hani i Elezit, degët atje kanë vendosur që atje të mos kemi kandidatura, por të kemi listë për asamble komunale. Kështu që kemi një interesim të madh të të rinjve dhe grave, sepse secila listë për asamble komunale ka më shumë se sa tejkalim të kuotës gjinore që është një lajm i mirë edhe për avancimin e pozitës së gruas në shoqërinë tonë”, tha Tahiri.
Edhe subjektet tjera politike sot pasdite kanë dorëzuar listat me kandidatë për kryetarë të komunave dhe asamblistë komunalë.