Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se bashkëpunimi trans-antlantik është i shkëlqyeshëm për dialogun Kosovë-Serbi.
Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, përmes një konferencë për medie tha se qëllimi parësor i takimeve në Kosovë është përgatitja e takimit.
“Qëllimi parësor është që të përgatitet takimi i parë i nivelit të lartë, i cili do të mbahet pas pak ditësh. Takimet ishin të mira dhe në këtë vit ka potencial”, tha ai.
Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer, gjatë ditës së djeshme kanë zhvilluar takime të njëpasnjëshme me përfaqësuesit institucional në Kosovë, nisur nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti si dhe ministrja e jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz. Derisa, Palmer, i vetëm ka takuar edhe përfaqësuesit opozitarë, duke nisur nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, si dhe përfaqësuesit e Listës Serbe në Kosovë. Në këto takime është diskutuar për dialogun, bashkëpunimin rajonal dhe agjendën europiane të Kosovës.
Pikërisht për të diskutuar çështjen e dialogut, Lajçak dhe Palmer ishin takuar më 26 maj në Bruksel.