UBT News

​Lajçak mbërrin për takimet me Bislimin dhe Kurtin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës për të pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Mësohet se paraprakisht diplomati sllovak, i cili mbërriti më herët se Kurti, ka patur takim me zëvendëskryeministrin dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi.

Lajçak vjen në Kosovë pas takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, më 2 maj, mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Më 2 maj në Bruksel palët ranë dakord për Deklaratën për të Zhdukurit ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit.

Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ekipi menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq në kohën sa ishte zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti.

Drafti posedon 67 nene dhe është i ndarë në nëntë kapituj, si: dispozitat e përgjithshme, çështjet e komunitetit, struktura organizative, anëtarësimi në Asociacion dhe marrëdhëniet ndërmjet komunave anëtare, asetet dhe të ardhurat, format e vendimmarrjes së drejtpërdrejtë, ndryshimet në statutin e Asociacionit, shpërbërja e Asociacionit dhe dispozitat tranzicionale dhe përfundimtare.

Aty thuhet se Asociacioni do të jetë një formë e veçantë organizimi, e themeluar me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave që jetojnë në komunat që janë pjesë e Asociacionit.

Kryeministri Kurti e ka quajtur të papranueshme këtë draft statut ndërsa paraqiti vizionin e tij për vetëmenaxhimin e serbëve në bazë të modelit kroat që ndryshe njihet si Këshilli Kombëtar i Serbëve në Kroaci (SNV).

Ky këshill “është një person juridik jofitimprurës”. Ai ka vulën dhe simbolet e veta, të cilat janë krijuar në përputhje me Ligjin Kushtetues Kroat për të Drejtat e Pakicave Kombëtare. Gjithashtu ka kryesinë, kuvendin, bordin mbikëqyrës, presidentin dhe këshillin.

Disa nga qëllimet e Këshillit Kombëtar të Serbëve në Kroaci përfshijnë: promovimin dhe realizimin e të drejtave në fushën e kulturës, arsimit, ekonomisë dhe interesave të tjera të serbëve, si dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar, kulturor, gjuhësor dhe fetar.

Statuti specifikon se ky këshill vepron në fushën e të drejtave të njeriut, të drejtave dhe lirive fetare, të zhvillimit të komunitetit lokal, të zhvillimit të qëndrueshëm, të zhvillimit të zonave rurale dhe bujqësisë etj.

Ai bashkëpunon me institucionet shtetërore, qendrore dhe lokale, me organizata dhe institucione qeveritare dhe joqeveritare, si dhe me organizata ndërkombëtare.

Anëtarë të këtij këshilli janë përfaqësues të pakicës kombëtare serbe. Ai financohet nga buxheti kroat, por edhe nga mjetet e marra nga organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, donacionet, të hyrat vetanake, fondet e BE-së dhe aranzhime të tjera që janë në përputhje me ligjin kroat.

Exit mobile version