Me 77 vota për Kuvendi i Kosovës ka vendosur për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, përkatësisht dërgimin në operacionin në mbështetje të paqes, sipas marrëveshjes implementuese, lidhur me Atashimin e Personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kompaninë Roulment të Këmbësorisë në ishujt Falkland.
Ky propozim-vendim u mor më 29 nëntor të vitit 2022 nga Qeveria e Kosovës, ndërsa u diskutua sot në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga 41 deputetë të Kuvendit të Kosovës.
E kryeministri, Albin Kurti tha se në këtë mision mund të dërgohen 7 pjesëtarë të FSK-së dhe si mision mund të zgjas deri në 3 vite, por edhe me mundësi vazhdimi.
“Dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshinë detyrat e misionit të FSK-së, është atashimi i personalit të FSK-së në Kompaninë Roulment të Këmbësorisë në ishujt Falkland, duke i ofruar mbështetje shtetit pritës, lloji i operacionit është në mbështetje të paqes, vendi i kryerjes të misionit është ishujt Falkland, katër, legjislacioni zbatues është legjislacioni vendor… Për këtë mision mund të dërgohen jo më shumë se shtatë pjesëtarë të FSK-së bazuar në marrëveshjen implementuese. Ky mision mund të zgjasë deri në tri vite me mundësi vazhdimi sipas dakordimit të palëve”, tha ai.